Tre të akuzuar për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut janë mbrojtur në heshtje. E Aleksandar Vllajiq, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon edhe për spiunazh, ka thënë se ishte te një automekanik në kohën e sulmit. Seanca e fjalës përfundimtare është caktuar për 2 korrik
Tre nga katër të akuzuarit për sulmin terrorist në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut më 6 dhjetor 2022, Milun Milenkoviq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq, kanë shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, të martën në seancën e mbajtur për këtë rast në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
E Aleksandar Vllajiq, i akuzuar edhe për spiunazh nga Prokuroria Speciale, ka thënë se ishte te një automekanik shqiptar në kohën kur dëgjoi shpërthimin në KKZ.
“A ju kujtohet në çfarë kohe keni shkuar te mjeshtri, te Fatmiri”, e ka pyetur Vllajiqin kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj.
Në këtë pyetje, i akuzuari ka thënë se nuk i kujtohet nëse ishte para apo në kohën e shpërthimit.
Më pas, gjyqtari ka vazhduar me pyetje.
“Ju thatë se kur shkuat te Fatmiri, rruga ka qenë e bllokuar dhe se sa keni qenë aty e keni dëgjuar krismën, eksplodimin. Si e kuptove, ku e kuptove që rruga është e bllokuar?”, ka pyetur Kurtaj.
“Është rrugë e drejtë, është rrugë e gjerë dhe shihet nga ura kryesore i ka 400-450 metra dhe punëtoria e Fatmirit është në drejtim të urës dhe shihet”, është përgjigjur Vllajiq.
Ai ka thënë se në deklarimin e tij në polici nuk e ka shpalosur informatën se ka qenë te mekaniku Fatmir Neziri, meqë nuk e shihte të domosdoshme të fliste në detaje pasi ishte optimist se do të lirohej nga dyshimet e prokurorisë.
Prokurori Bekim Kodraliu e ka pyetur atë edhe për komunikimet nga telefoni i tij një ditë para sulmit.
“Më datën 5.12.2022, një ditë para se të ndodhte sulmi terrorist ju keni komunikuar me një person si në vijim: në mëngjes duhet të vijnë zotërinjtë nga KQZ-ja dhe jo sonte. Do të vëzhgojnë nesër do të jetë pak uauau. Ata po e ndjejnë pulsin. Siç na thonë nga lart, kështu do të bëjmë. Unë do t’iu njoftoj për atë që dëgjoj dhe të nesërmen ka ndodhur sulmi terrorist në zyrat e KKZ-së. Çka mund të deklarosh lidhur me këtë?”, ka pyetur prokurori Kodraliu.
Sipas Vllajiqit, ai ka komunikuar me një të afërm të tij lidhur me daljen ose jo në zgjedhje.
“Mesazhi ishte për Filip Radenkoviqin, djalin e hallës sime. Lidhet me atë se a do të dalim të votojmë në zgjedhje. E ajo se çfarë kanë thënë nga lartë është qëndrimi i Serbisë që të mos dilet në zgjedhje dhe që ne të bëjmë siç thonë ata”, ka thënë Vllajiq.
Ndërkohë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit ai ka konfirmuar se i kujtohet që më 6 dhjetor 2022 nuk janë mbajtur zgjedhjet.
Javën që shkoi Prokuroria Speciale i ka ngritur aktakuzë Vllajiqit ku pretendon se si agjent rezident i shërbimit serb të inteligjencës BIA ka çuar informatat që i mblidhte nga organizatat ndërkombëtare, duke dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Trupi gjykues e ka pranuar si provë materiale një raport të Policisë ku pretendohet se Dejan Pantiqi ka veshur uniforma të Mbrojtjes Civile që tash është organizatë terroriste, bashkë me Brigadën e Veriut, të shpallura nga Qeveria.
Seanca e fjalës përfundimtare është caktuar për 2 korrik.