Të dhëna të pasakta janë shfaqur në tabelat kushtuar masakrave të ndodhura gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-1999, në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të hapur më 24 mars në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë. I mbijetuari i Masakrës së Dubravës e deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, ka shprehur shqetësim për deformim të historisë e kërkoi nga Prokuroria, përkatësisht Departamenti për krime lufte, që ta hetojë këtë çështje.
Një ekspozitë në mes të sheshit qendror të Prishtinës, e financuar nga Kuvendi i Kosovës, përmban shifra të pasakta për masakrat e ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo ekspozitë që u vendos për përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, një pjesë të konsiderueshme të civilëve që u vranë në këto masakra i ka cilësuar si persona të armatosur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi.
Për njërën prej tyre reagoi të premten i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili pos që shprehu shqetësim për deformim të historisë i kërkoi edhe Prokurorisë përfshirje në këtë rast.
“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli.
Ai ka ftuar Prokurorinë, përkatësisht Departamentin për krime lufte, që ta hetojë këtë çështje, e ka ftuar organizatorët që t’i përmirësojnë të dhënat.
“Duke marrë parasysh dëmin që i shkaktohet së vërtetës dhe dëshmisë historike, ftoj urgjentisht organizatorët e kësaj ekspozite ta tërheqin këtë material për Dubravën dhe ta korrigjojnë atë. Një material i tillë, në formën aktuale, nuk i shërben së vërtetës; përkundrazi mund të përdoret për të përforcuar narrativën e rreme të Serbisë për gjoja rebelimin e të burgosurve shqiptarë gjatë kohës kur është kryer kjo masakër. Gjithashtu, ftoj Prokurorinë e Shtetit, përkatësisht departamentin për krime lufte, që të përfshihet në këtë çështje dhe ta hetojë këtë rast”, ka shtuar Dugolli.
Ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera.
Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë.
Ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.
Për sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë.
E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.
Ditë më parë ka reaguar edhe një i mbijetuar i Masakrës së Belegut, Endrit Binakaj, i cili bëri të ditur se kjo masakër nuk është e përfshirë fare në këtë ekspozitë.
Ai ka thënë se mungesa e saj “është padrejtësi e thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.
Ekspozita është e bazuar në librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, libër i cili është promovuar në disa vende të botës.
Autori i tij ka qenë këshilltarë i kryeministrit Albin Kurti.
KOHA ka kërkuar sqarime nga Gashi, por deri në transmetimin e stories nuk ka ofruar sqarime.
Përgjigje nuk kanë ofruar as në Kuvendin e Kosovës, e as në organizatat Integra dhe Admovere, të cilat kanë qenë organizatore të ekspozitës në fjalë.
Reagimet pas publikimit: