Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Supremja dhe Apeli mohojnë pretendimet e Odës së Avokatëve

Gjykata Supreme

Në dy reagime të ndara, dy gjykatat kanë pretenduar se në të gjitha rastet ankesat i trajtojnë me prioritet të lartë. Në reagimin e Supremes thuhet se pas verifikimeve të kryera, “pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve, rezultojnë të pavërteta”. E në reagimin e Apelit është thënë se jo gjithçka varet prej saj sa u përket afateve. Të hënën, Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit

Gjykata Supreme dhe ajo e Apelit i kanë mohuar pretendimet e Odës së Avokatëve të Kosovës se po i vonojnë ankesat lidhur me paraburgimet dhe se kështu po i cenojnë të drejtat themelore të qytetarëve.

Në dy reagime të ndara, dy gjykatat kanë pretenduar se në të gjitha rastet ankesat i trajtojnë me prioritet të lartë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në reagimin e Supremes thuhet se pas verifikimeve të kryera, “pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve, rezultojnë të pavërteta”.

“Çështjet që kanë të bëjnë me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë dhe shqyrtohen brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me standardet dhe dispozitat ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor”, thuhet në reagim të martën.

Në reagim thuhet po ashtu se nëse Oda e Avokatëve të Kosovës i referohet ndonjë rasti konkret, ku pretendohet se ka pasur tejkalim të afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, ftohet që t’i adresojë të dhënat te kryetari i Gjykatës.

E në reagimin e Gjykatës së Apelit është sqaruar procedura dhe afatet ligjore lidhur me shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve për caktimin apo vazhdimin e paraburgimit. Në reagim thuhet se këto raste trajtohen me superprioritet dhe urgjencë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale (KPP) dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Në përgjigjen e gjykatës thuhet se sipas KPP-së, Apeli vendos për ankesat ndaj vendimeve për caktimin apo vazhdimin e paraburgimit brenda afatit 72-orësh nga paraqitja e përgjigjes në ankesë apo nga skadimi i afatit për paraqitjen e saj. 

Gjykata e Apelit ka theksuar gjithashtu se procesi i pranimit, regjistrimit dhe dorëzimit të parashtresave apo shkresave zhvillohet përmes gjykatave themelore. 

“Pra, ankesa parashtrohet në gjykatën themelore, kurse vendimet e Gjykatës së Apelit i ekspedohen gjykatës themelore përkatëse e cila i dorëzon te palët”, thuhet në reagim.  

Gjykata ka bërë të ditur se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes kohës së vendimmarrjes nga Gjykata e Apelit dhe procedurave administrative të pranimit dhe dorëzimit të dokumenteve, të cilat kryhen nga gjykatat themelore.

Të hënën, Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me, siç ka thënë, vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve me të cilat caktohet apo vazhdohet masa e paraburgimit.

Në reagimin e Odës, thuhet se Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe të detyrueshme për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht pasi siç theksohet, bëhet fjalë për kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Megjithatë, në praktikë, thuhet se vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas kalimit të disa javëve, madje ka raste kur masa e paraburgimit vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërsa pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak. Vonesa edhe më të theksuara raportohen në procedurat pranë Gjykatës Supreme”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka konsideruar se respektimi rigoroz i afateve ligjore në rastet e paraburgimit nuk paraqet vetëm obligim procedural, por garanci themelore kushtetuese dhe konvencionale që siç thuhet, lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike.

“Prandaj, Oda e Avokatëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve gjyqësore kompetente që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë efektive, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Odës së Avokatëve të Kosovës.