LAJMET E MBRËMJES

Supremja: Deputeti nuk mund të ushtrojë funksion ministri

Nga momenti i certifikimit të rezultatit zgjedhor, ministrat që kanë marrë post deputeti nuk mund të marrin vendime, ka konstatuar Gjykata Supreme. Mbi bazën e këtij interpretimi, ajo ka shfuqizuar udhëzimin administrativ për arkat fiskale të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati

Gjykata Supreme ka konstatuar se deputetët nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në Qeveri.

Bazuar në këtë gjykim e ka shfuqizuar udhëzimin e ri administrativ për arkat fiskale, meqë ai është nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili është edhe ligjvënës.

“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.3.2025, ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Pra, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në aktgjykimin e Supremes, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA.

Gjithashtu, në vendim thuhet se Gjykata nuk ka vlerësuar pretendimet dhe argumentet e tjera, “duke konsideruar se mungesa e autorizimit ligjor dhe mungesa e kompetencës funksionale për nxjerrjen dhe publikimin e aktit nënligjor normativ, përbëjnë shkelje të dispozitave ligjore dhe kushtetuese”. 

“Prandaj, përderisa akti i kontestuar është nxjerrë nga një autoritet i paautorizuar dhe në mungesë të kompetencës ligjore, si dhe është në kundërshtim me parimet e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, Gjykata vlerëson se akti i kontestuar duhet të shfuqizohet si i kundërligjshëm dhe në shkelje të dispozitave kushtetuese”, thuhet në vendim.

Udhëzimi është nënshkruar nga ministri në detyrë Murati, më 15 prill, rreth 20 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor me të cilin nis mandati i deputetit.

Vendimin e Supremes e ka quajtur absurd Murati, dhe ka publikuar edhe emrat e gjyqtarëve që kanë marrë vendimin. Ai ka theksuar se me këtë vendimmarrje ndërpritet procesi i digjitalizimit.

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë ministër i Financave, parashihej të merrte fund me udhëzimin e ri administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon. Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që udhëzimi administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet”, ka shkruar në reagimin e tij Murati. “Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”.
Ai ka theksuar se, si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit.

Ehat Miftaraj, i cili është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka kritikuar Muratrin për reagimin.

“Hekuran Murati në vend që të reflektojë dhe të ndalë praktikën e nxjerrjes së vendimeve apo akteve nënligjore në kundërshtim me ligjin, i njëjti akuzon Gjykatën Supreme. Është e papranueshme që një ministër në detyrë të komentojë vendimet gjyqësore”, ka thënë ai. “Është e dënueshme kur një ministër përmend me emër gjyqtarët e Gjykatës Supreme në një postim publik”.

Ndërkaq Eugen Cakolli, i cili është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se me këtë vendim Supremja qartësoi përfundimisht se ish-ministrat me mandat deputeti nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive.

“Kryeministri dhe ministrat e certifikuar si deputetë kanë vazhduar të marrin vendime – jokushtetuese, pa legjitimitet dhe jashtë çdo mbikëqyrjeje parlamentare – duke e shndërruar shkeljen në praktikë”, ka thënë Cakolli.

E, LDK-ja, e cila ka deponuar në prokurori 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që kanë marrë vendime në cilësi të ministrave, ka kërkuar që organi i akuzës të veprojë shpejt.

“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë. Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e LDK-së. “Kosova nuk mund të lejojë më që institucionet e saj të uzurpohen dhe të keqpërdoren për interesa politike të një partie. Shteti i së drejtës nuk mund të jetë viktimë e arrogancës politike. Zbatimi i ligjit nuk është opsional, por detyrim i panegociueshëm për çdo zyrtar publik”.

Udhëzimi administrativ, që është shfuqizuar nga Supremja, parashihte që bizneset e vjetra dhe të reja që nuk ishin pajisur me arka fiskale nuk obligoheshin që ta bënin këtë. Të njëjtën mund ta zëvendësonin me paragona fiskalë, të cilët ishin përdorur nga viti 2006 deri në vitin 2010.