Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Shmanget shtrenjtimi i rrymës për sivjet

ZRRE

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për të hyrat maksimale të lejuara për KEDS, KESCO dhe KOSTT ka shmangur rritjen e tarifave të energjisë për vitin 2026. Në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së, është thënë se marrëveshja mes KEK-ut dhe KESCO-s ka ndikuar që të zbutet ndikimi në faturat për qytetarët, duke shtyrë koston për dy vjetët e ardhshëm

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar të hyrat maksimale të lejuara për operatorët energjetikë që janë ndjeshëm më të ulëta sesa kërkesat fillestare të kompanive, duke shmangur rritjen e tarifave për vitin 2026.

Në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së të martën, është thënë se për të zbutur ndikimin në fatura, KEK dhe KESCO kanë lidhur marrëveshje për shtyrjen e një pjese të kostos së energjisë për dy vjetët e ardhshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kostot reale janë të përfshira në këtë raport, mirëpo kjo kosto është e shpërndarë vetëm në mënyrë që të mos kemi rrezikim të sigurisë së furnizimit ose mos prodhimit nga gjeneratorët vendorë, është shpërndarë në një periudhë dyvjeçare në mënyrë që edhe efekti te konsumatorët të jetë shumë më i vogël”, ka thënë Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së.

KEK dhe KESCO janë pajtuar për zbatimin e një mekanizmi të profilizimit të kostove, i cili parasheh riprogramimin e obligimeve që lidhen me furnizimin me energji elektrike për periudhën janar–mars 2026.

E Muharrem Gashi nga Departamenti për Tarifa teksa ka prezantuar raportin për të hyrat maksimale për KESCO-n, ka thënë se ato janë për 16.4 për qind më të ulëta sesa aplikimi fillestar.

“Kërkesa në aplikacionin për të hyrat e lejuara maksimale për furnizuesin me shërbim universal, për konsumatorët e rregulluar tariforë ka qenë rreth 528 milionë, ndërsa propozimi përfundimtar i ZRRE-së rreth 442 milionë që nënkupton rreth 16.4 për qind më i ulët se vlera e paraqitur. Komponent kryesor i kostos mbetet blerja e energjisë elektrike për furnizimin e konsumatorëve e cila është ndikuar nga zhvillimet në treg, përfshirë çmimet e larta të importeve. Për të zbutur ndikimin e faturave 2026 KEK dhe KESCO ka shtyrë përmes faktorit të profilizimit vlerën e energjisë që vlen për periudhën janar-mars për vitin relevant tarifor 2027”, ka thënë Gashi.

Sipas Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në ZRRE, kërkesa për të hyrat maksimale nga KOSTT-i, ka qenë rreth 99 milionë euro, por Rregullatori ia ka miratuar rreth 76 milionë euro, ose rreth 23 për qind më pak. 

Ngjashëm, për operatorin e shpërndarjes KEDS, kërkesa prej rreth 235 milionë eurosh është ulur në rreth 185 milionë euro, ose 21 për qind më pak. 

Rregullatori ka marrë në konsideratë kostot operative, investimet, humbjet në rrjet dhe faktorët e përshtatjes që lidhen me devijimet e viteve të kaluara.

Në këtë proces, ZRRE-ja ka përditësuar edhe të dhënat për blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve dhe ka vendosur një çmim të supozuar të importit prej 2.65 euro për megavat-orë për periudhën prill–dhjetor 2026.

E gjatë javës Bordi i ZRRE-së pritet që të mblidhet sërish ku do të marrë vendim për tarifa bazuar në të hyrat e aprovuara e që do të hyjnë në fuqi nga 1 maji.