LAJMET E MBRËMJES

Sekuestrimi i 40 mijë litrave pije alkoolike në Hoçë të Madhe politizohet nga zyrtarët serbë

Rreth 42 mijë litra pije alkoolike pa autorizim janë zbuluar nga Dogana e Kosovës në një dyqan në Hoçë të Madhe të Rahovecit, e më pas edhe janë sekuestruar. Aksioni ka hasur në rezistencë nga pronarët dhe banorët e këtij fshati, ndërsa nga zyrtarët serbë është politizuar, duke e quajtur si sulm ndaj qytetarëve serbë. Dogana ka sqaruar se dëmi llogaritet të jetë rreth 38 mijë euro vetëm për detyrimet për stokun e hasur gjatë kontrollit.

Rreth 40 mijë litra pije alkoolike të prodhuara në mënyrë jo të ligjshme në një lokal në Hoçë të Madhe të Rahovecit janë sekuestruar të enjten nga Dogana e Kosovës.

Aksioni i filluar të mërkurën, e që ka vazhduar edhe të enjten, ka hasur në rezistencë nga familja prodhuese e këtyre pijeve dhe nga banorët e fshatit.

Pronari i lokalit, Sërgjan Petroviq, ka thënë se i ka ofruar Doganës që të paguajë dëmin që e ka shkaktuar duke u ikur taksave, por që kjo, sipas tij, nuk është pranuar.

“Është fjala për 10 shishe, ku djali im ua ka vënë etiketën ‘E kuqja e Metohisë’ në cirilike, për çka nuk shoh se ka gabuar. Sipas nenit 4 të Kushtetutës së Kosovës, gjuha serbe është zyrtare, gjuha e dytë e barabartë në Kosovë dhe Metohi. Cirilikja është legale, shikoni letërnjoftimet e juaja – shkruan në cirilikë letërnjoftim. Nuk shoh çfarë ka bërë gabim. Gabim ka bërë që e ka shkruar si vend i origjinës ‘Hoça e Madhe, Kosovë e Metohi, Serbi’. Por kjo verë nuk është gjetur në asnjë raft”, ka thënë Petroviq.

Edhe pse Dogana e Kosovës ka zhvilluar aksione të tilla në gjithë territorin e Kosovës, zyrtarë serbë në Beograd e kanë politizuar atë, duke e quajtur “veprim të njëanshëm të Doganës”.

KOHA merr vesh se rasti është zbuluar nga Dogana, pasi pronari ka kërkuar nga ky institucion autorizim, por që pas kontrollit nga oficerët doganorë është zbuluar se përveç dyqanit, personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e pijeve alkoolike.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, aksionin e ka quajtur “sulm të ri” të Kurtit.

“Sulmi i ri i Kurtit ndaj serbëve në jug të Ibrit. Ai i dërgoi policinë e tij në qendër të Hoçës së Madhe për të konfiskuar 40 mijë litra verë nga një nga vreshtat më të vjetra të Petroviqit. Vendasit u mblodhën për ta mbrojtur fqinjin e tyre, sepse nuk do të lejojnë mbijetesën dhe terrorin e Kurtit”, ka thënë Petkoviq.

Edhe kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka thënë se problemi i kryeministrit Kurti nuk ishte vera e dikujt, por “vendosmëria e Petroviqit dhe e serbëve të tjerë për të qëndruar në vendin e tyre”.

“Kur një familje e nderuar serbe shndërrohet në kriminele, është e qartë se çfarë politike ka Qeveria aktuale në Prishtinë. Prandaj duhet të mbrojmë nderin dhe mbijetesën e familjes Petroviq në Hoçë! I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagoni dhe të parandaloni dhunën që po ushtron Kurti ndaj serbëve”, ka thënë ai.

Sipas Doganës së Kosovës, biznesi nuk është i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe nuk ka përfillur kërkesat për raportim të entit përkatës për mbikëqyrjen e prodhimtarisë së verërave.

Dëmi i shkaktuar llogaritet të jetë rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrolli.

Dogana e Kosovës gjatë këtij viti ka zhvilluar një sërë aksionesh në luftim të kontrabandës dhe informalitetit.