Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, si dhe sekretari i degës së kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, akuzohen për nxitje të urrejtjes ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu. Seanca e së enjtes është ndërprerë pak minuta pas nisjes, pasi që Azemi ka kërkuar përjashtimin e prokurores së rastit, Fikrije Fejzullahu
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arlind Manxhuka, sekretari i degës së partisë në Prishtinë, Egzon Azemi dhe dy persona të tjerë kanë dalë të enjten para Gjykatës Themelore në Prishtinë si të akuzuar.
Manxhuka dhe Azemi ngarkohen për nxitje të urrejtjes ndaj nënkryetarit të kësaj gjykate, Mentor Bajraktari, si dhe të prokurorit të Speciales, Afrim Shefkiu. Të akuzuar në këtë rast janë edhe dy persona të tjerë për kanosje ndaj Shefkiut dhe Bajraktarit lidhur me reagimet e tyre rreth vendimit për arrest shtëpiak ndaj të dyshuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq.
Seanca e shqyrtimit fillestar është ndërprerë pak minuta pas nisjes, pasi i pandehuri Azemi ka kërkuar që prokurorja Fikrije Fejzullahu të përjashtohet nga rasti.
“Nuk e kam njohur më herët as prokuroren, as palën kinse të dëmtuar, mirëpo edhe vetë gjatë intervistimit prokurorja ka deklaruar se është përfolur disa herë se ka qenë prokurore në rastet ku kanë qenë të përfshirë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Një aktakuzë e ngritur nga po kjo prokurore, e cila përbëhet nga falsifikime skandaloze, tjetërsime madje edhe të pozitave tona, sepse në krye të aktakuzës cilësohemi si persona zyrtarë”, ka thënë Azemi.
Prokurorja Fejzullahu ka theksuar se “është e drejtë dhe e arsyeshme që kërkesa të shqyrtohet, në mënyrë që të na jepet mundësia të vazhdojmë tutje”.
E gjyqtari Arben Hoti ka thënë se do ta nxjerrë një vendim të veçantë për sa i përket kërkesës së të pandehurit.
“Gjykata merr aktvendim: seanca e sotme shtyhet për një datë tjetër. Gjykata për kërkesën për përjashtimin e prokurores do ta njoftojë kryeprokurorin kompetent lidhur me këtë kërkesë”, ka thënë ai.
Vazhdimi i seancës është caktuar për 3 prill.
Gjyqtari Bajraktari dhe prokurori Shefkiu nuk ishin të pranishëm në seancë, si palë të dëmtuara.
Sipas Prokurorisë, Azemi dhe Manxhuka, duke i keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare, kanë nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj Bajraktarit dhe Shefkiut në dhjetor të vitit 2022. Sipas Prokurorisë, në një postim në Facebook, Azemi ka shpërndarë citatin “tradhtarët, plumbin e kanë hak”, kurse Maxhuka ka shkruar se “ky aktlirim është akt tradhtie”, duke nxitur urrejtje ndaj prokurorit dhe gjyqtarit pas ndryshimit të masës së sigurisë për Pantiqin, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Dy të pandehurit e tjerë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, akuzohen për kanosje. Elshani, sipas Prokurorisë, ka shkruar një koment se “këtyre”, duke aluduar te gjyqtari e prokurori, “duhet t’u hidhet bombë në gojë”, kurse Zenelaj akuzohet se ka bërë grafitë me emrat e gjyqtarit dhe prokurorit, të cilët cilësoheshin si shtyllë e turpit.
Në dhjetorin e vitit të shkuar, Dejan Pantiqit dhe tre të tjerëve u është ngritur aktakuzë për sulm terrorist në Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.