LAJMET E MBRËMJES

S’e pranojnë fajësinë gjashtë të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamet Lika

Muhamet Lika

Prokuroria Themelore në Ferizaj i ngarkon të akuzuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika e Shkëlqim Kuka me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa Diamant Gashin me veprën penale “Dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”. Për këto vepra, që të gjithë të akuzuarit janë shprehur “plotësisht të pafajshëm” në seancën e shqyrtimit fillestar të rastit

Janë deklaruar të pafajshëm të gjashtë të akuzuarit për vrasjen e rreshterit policor, Muhamet Lika, në prillin e 2025-tës në Kaçanik.

Prokuroria Themelore në Ferizaj i ngarkon të akuzuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika e Shkëlqim Kuka me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa Diamant Gashin me veprën penale “Dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Për këto vepra, që të gjithë të akuzuarit janë shprehur para trupit gjykues si “plotësisht të pafajshëm”.

Prokurori i rastit, Ismet Rrahmani, ka lexuar pjesë të aktakuzës, në të cilën janë treguar hollësi nga nata kur është kryer vrasja. Sipas Rrahmanit, të pandehurit atë natë kanë pritur në katin e dytë të hyrjes së ndërtesës ku ka jetuar polici dhe në bashkëveprim me të miturin Rejhan Bela e kanë kryer vrasjen.

Ai ka theksuar se të pandehurit kanë bërë përgatitje paraprake dhe me dashje e kanë privuar nga jeta rreshterin Lika.

“I mituri Rejhan Bela hyn pas tij në hyrjen e objektit të banesës dhe me të takuar të ndjerin, ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, të kalibrit 9.19 mm, dhe kthehet me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes, duke ikur në drejtim të lokalit ‘Dukagjini’, ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku me vrap largohen përmes rrugës ‘Mejdi Dalloshi’ ndërsa derisa ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri, dëgjohet një zë duke thënë: ‘Bravo, ik’”, ka thënë prokurori.

Sipas Prokurorisë, në pamjet e kamerave të sigurisë shihet se të pandehurit rreth një orë para vrasjes kanë bërë vëzhgime dhe janë koordinuar në mes vete.

I pandehuri Diamant Gashi, sipas aktakuzës, e ka ndihmuar të miturin Rejhan Bela që të arratiset nga vendi i ngjarjes, pas kryerjes së vrasjes.

“I pandehuri Diamant Gashi, duke strehuar në shtëpinë e tij të miturin Rejhan Bela, e ka ndihmuar duke i ofruar ndihmë në ushqim dhe gjana të tjera dhe në shmangien e zbulimit dhe arrestimit përmes fshehjes në shtëpinë e tij dhe fshehjes së mjeteve dhe provave duke e strehuar dhe ndihmuar të njëjtin dhe ndërmarrjen e veprimeve për pengimin e arrestimit”, ka deklaruar prokurori Rrahmani.

Gjatë seancës, mbrojtësit e të akuzuarve Diamant Gashi dhe Rilind Murati kanë kërkuar që klientëve të tyre t’u ndryshohet masa e paraburgimit dhe t’u zëvendësohet me një masë më të butë sigurie.

Por propozimet e avokatëve i ka kundërshtuar Prokuroria.

“Kundërshtoj propozimin nga ana e tyre, ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 8 të aktakuzës, propozimi për masën e paraburgimit, konsiderojmë se duke marrë parasysh aktvendimin e fundit lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit, qëndrojnë të gjitha arsyet dhe shkaqet ligjore për të cilat është vazhduar masa e paraburgimit”, ka thënë prokurori Rrahmani.

Kundërshtime ka pasur edhe Gjykata.

“Gjykata refuzon propozimin e avokatëve mbrojtës Fehmije Gashi-Bytyqi dhe Musa Konxheli, që të pandehurve Rilind Murati dhe Diamant Gashi t’iu ndërpritet masa e paraburgimit apo t’iu zëvendësohet me një masë alternative, me arsyetimin sikurse në aktvendimin për vazhdim të paraburgimit të datës 08.1.2026”, ka thënë gjyqtari Ilir Bytyqi.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale që u vihet në barrë me aktakuzë dhe t’u shqiptohet dënim me burgim efektiv.

Rreshteri policor, Muhamet Lika, është vrarë më 1 prill të 2025-tës pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për t’u kthyer në banesën e tij në Kaçanik.

Në aktakuzë thuhet se nga pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit “Te Luzha”, i cili ndodhet pak metra para hyrjes së objektit banesor ku ka jetuar rreshteri Lika, është vërejtur se në ora 22:57, polici ecën këmbë nga stacioni policor në drejtim të banesës së tij dhe se me të arritur lokali “Te Luzha” një person i shkon nga prapa në një distancë prej 10-20 metrash. Në aktakuzë thuhet se në bazë të këtyre videoincizimeve dhe atyre të siguruara nga ordinanca stomatologjike “Te Mici” vërehet se si rreshteri Lika hyn në objektin banesor dhe pas 47 sekondash prej aty del me vrap i pandehuri Bela dhe largohet nga vendi i ngjarjes, pas kryerjes së vrasjes.