LAJMET E MBRËMJES

Rritje e lehtë e Listës Serbe, Rashiqi sërish pjesë e Kuvendit

Edhe pse shënoi një rritje të lehtë krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, rezultatet preliminare e nxjerrin Listën Serbe me vetëm nëntë mandate të siguruara. Kur janë procesuar 99.65 për qind të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme të së dielës, partia e Nenad Rashiqit i ka 4.715 vota, rezultat që ia siguron atij një ulëse edhe në legjislaturën e dhjetë

Lista Serbe është rikonfirmuar subjekti i parë nga komuniteti joshumicë serb, por ka mbetur në nëntë ulëset që i kishte në zgjedhjet e shkurtit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

Derisa në zgjedhjet e 9 shkurtit Lista kishte marrë 39 mijë e 915 vota, në zgjedhjet e fundit ky subjekt ka fituar 41 mijë e 823 vota. Në komunat ku qeveris, përfshirë ato të veriut që i riktheu pas zgjedhjeve lokale të tetorit, ka fituar me mbi 50 për qind.

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, përmes një konference e shpalli “fitoren” tek pretendoi për sigurimin e të gjitha 10 mandateve të rezervuara për komunitetin serb. Pavarësisht deklaratave nuk pati festë në selinë e tyre, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, nga përpunimi i rreth 99 për qind të vendvotimeve, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës me 4 mijë e 715 vota.

Vetë Rashiqi në një postim në faqen e partisë në Facebook, ka thënë se ka marrë besimin e qytetarëve serbë me ulëse në Kuvend.

“Mbështetja e juaj është forca që na detyron të vazhdojmë në luftën për liri, drejtësi dhe mbijetesë të popullit tonë. Falë këtij besimi, partia ‘Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë’ është përsëri një parti parlamentare, e cila përfaqëson një konfirmim të fortë se zëri i popullit nuk heshtet. Ju keni treguar se besoni në politikën e përgjegjësisë, dinjitetit dhe qëndrueshmërisë dhe për këtë ju falënderon sinqerisht”, është shkruar në faqen e partisë, të cilën e ka shpërndarë edhe Rashiqi në faqen e tij në Facebook.

Rashiq në Qeverinë “Kurti 2” ishte ministër për Komunitete dhe Kthim.

E Zlatan Elek hodhi akuza ndaj Rashiqit i cili, sipas tij, ka marrë vota në qytete me popullsi minimale serbe, si Prizreni, Gjakova, Ferizaj dhe Hani i Elezit, duke pretenduar se në këto zona Lista Serbe nuk kishte vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor.

Analisti Dorajet Imeri vlerëson se ambienti zgjedhor në mesin e komunitetit serb vazhdon të jetë sfidues për shkak të ndërhyrje të Serbisë.

“Një garë shumë e pabarabartë me një trysni të jashtëzakonshme, ky rezultat që është, nuk është rezultat i vullnetit politik të njerëzve. Është rezultat, që është prodhuar për shkak të shantazhit, kërcënimit, forcës, shtrëngimit, joshjes- që Serbia e  ka bërë ndaj serbëve të Kosovës. Kam qenë dëshmitar i një pranie të jashtëzakonshme të serbëve me vetura me regjistrime të Beogradit për sa i takon sa i takon prezencës së tyre në ditën e zgjedhjeve në Kosovë. Pra unë besoj që nuk kanë qenë vetëm votuesit, por ka qenë edhe një prezencë fizike e njerëzve që kanë ushtruar presion e ndikim te qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë ai.

Përtej kësaj, sipas Imerit, është e dukshme se Lista Serbe nuk do të vazhdojë pa mbarim që të ketë ndikim e monopol mbi serbët e Kosovës.

“Kjo është diçka pozitive për vetë serbët e Kosovës dhe për sistemin tonë politik sepse duhet një demokratizim, duhet një garë fer dhe korrekte në mes të subjekteve politike serbe për të prezantuar drejt qytetarët serbë të Kosovës në institucionin e Kuvendit”, ka thënë ai.  
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, fillimisht si iniciativë qytetare, Lista Serbe e ka pasur mbështetjen e Beogradit zyrtar, si subjekt i vetëm që duhet t’i përfaqësojë serbët në Kosovë.