LAJMET E MBRËMJES

Restaurimi pa leje i monumentit me para të “Crvena Zvezdas”

Të shumëfishta janë ndërhyrjet në monumentin më të përfolur të kohëve të fundit – Manastirin e Banjskës. Të gjitha pa leje. Në dy dekadat e fundit janë së paku tri sosh. I fundit është ende në proces dhe atë e financon “Delije”, grupi i tifozëve të ekipit të futbollit, “Crvena Zvezda” përderisa ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për restaurimin e dëmeve të fundit nga grupi terrorist

Tri ditë pas agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, institucionet kanë shprehur gatishmëri për vlerësim të dëmeve dhe restaurim të Manastirit të këtij fshati. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte deklaruar në mbledhjen e Qeverisë gatishmërinë për të restauruar dëmet që i janë bërë këtij monumenti që kishte pësuar nga grupi prej rreth 30 serbësh ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Dioqeza Rashkë-Prizren kishte kundërshtuar këtë iniciativë. Përtej kësaj, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në ditën e gjashtë të këtij muaji i është drejtuar me një letër peshkopit Teodosije, duke shprehur gatishmëri për të restauruar dëmet e shkaktuara nga terroristët.

Por historia e restaurimeve e ndërhyrjeve në këtë Manastir nga Kisha Ortodokse Serbe është e vjetër dhe anashkaluese krejtësisht ndaj autoriteteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Intervenimi i fundit në këtë Manastir ka nisur në fillim të shtatorit të këtij viti. Pavarësisht ligjeve të Kosovës, ku për ndërhyrje në monumente kërkohet pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Kisha Ortodokse Serbe nuk ka përfillur kurrfarë procedure. Këtë e ka konfirmuar Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Madje intervenimi i nisur në shtator është duke u bërë me tre milionë dinarë ose 25 mijë e 606 euro të fondacionit “Delije”, organizatë e tifozëve të klubit futbollistik beogradas “Crvena Zvezda”.

Por, kjo ndërhyrje është të paktën e treta me radhë prej pasluftës së fundit në Kosovë. Më 2003 dhe 2004 atje ishte ndërhyrë për të restauruar e rikonstruktuar pjesë të kompleksit të Manastirit Mesjetar.

Më pas, në vitin 2015, do të niste një tjetër projekt më i madh. I financuar nga e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë e Metohi”, projekti përfshinte banjat e fshatit bashkë me kompleksin kishtar.

KOHA ka mësuar se dëmtimet e fundit të shkaktuara nga grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiq janë duke u riparuar. Letra që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ia ka dërguar peshkopit Teodosije ende nuk ka marrë përgjigje.

“Si ministër i Kulturës, më lejoni të shpreh shqetësimin për të gjitha dëmtimet e shkaktuara në Manastir dhe të ofroj gatishmërinë tonë institucionale për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator 2023, rehabilitimin e gjendjes, në mënyrë që të sigurohet ruajtja e këtij aseti të trashëgimisë kulturore”, thuhet në letër.

Kjo qasje e ministrit Çeku shihet si pozitive dhe e duhur nga ata që merren me trashëgimi kulturore. Por, nuk dihet se cili do të jetë epilogu i këtij rasti.