Prokuroria ka kërkuar dënimin e të akuzuarve, duke theksuar se ata ishin grup kriminal i strukturuar dhe me role të ndara. E avokati i Izet Sheqirit ka theksuar se Prokuroria vazhdimisht veprimet e zakonshme i ka keqinterpretuar si veprime kriminale. Droga është zënë në Lipjan, më 2021
Ka nisur të hënën seanca e fjalës përfundimtare në rastin e 400 kilogramëve kokainë me pesë të akuzuar për krim të organizuar.
Në paraqitjen e fjalës së tij, prokurori Valdet Gashi ka thënë se të pandehurit, pronari Izet Sheqiri e menaxheri i “MC Foods”, Faton Vrajolli, udhëhiqnin grup të strukturuar kriminal me role të ndara.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“(Izet Sheqiri v.j.) ka koordinuar aktivitetet kriminale dhe ka pasur rol mbikëqyrës mbi të gjitha aktivitetet kriminal, përfshirë caktimin e roleve të anëtarëve të grupit organizuar kriminal brenda një strukture të përcaktuar mirë”, ka thënë prokurori Gashi.
Gashi po ashtu ka thënë se provat tregojnë se droga erdhi nga Brazili deri në Kosovë, duke shtuar se ajo nuk ka pasur mundësi të futej në ngarkesa gjatë ndalesave në Shqipëri, Itali apo Spanjë.
“Vula është vendosur nga autoritetet doganore dhe të transportit të Brazilit që është vulë siguruese që siguron që dera e kontejnerit nuk është hapur”, ka thënë Gashi.
Florent Latifaj, avokat i pronarit të “MC Foods”, Izet Sheqiri, është shprehur se fjala përfundimtare e prokurorit nuk është asgjë veçse kopje e aktakuzës dhe kallëzimit penal.
Ai ka vënë theksin te rastet ku pronarët e kompanive janë liruar nga akuzat e dyshimet për trafikim droge.
“Një sërë ngjarjesh të ngjashme në të gjithë Evropën Zvicër, Gjermani, Itali dhe gjithkund të trajtohen këto si dështime të grupeve kriminale duke përdorur infrastrukturën e kompanive të ndershme, e këtu konsiderohet krim i organizuar…Parimi se ‘të kujt janë delet, i atij është livadhi’, e dëgjuam sot, ashtu si e dëgjuam edhe në emisione televizive sa herë që dashakëqij janë mbledhur dhe kanë filluar ta sulmojnë Izet Sheqirin”, ka thënë avokati Latifaj.
Ai ka thënë se Gjykata në Barcelonë ka vendosur që nuk ka prova ndaj ndonjë të dyshuari dhe se rasti është tipik i mafisë spanjolle që përdor portet dhe transportin ndërkombëtar të kompanive të ndershme për trafikim droge.
Avokati Latifaj ka thënë po ashtu se Sheqiri nuk e ka kryer asnjërën nga veprat penale, blerje apo posedim të narkotikëve dhe se veprimet e ligjshme të tij si pronar kompanie, Prokuroria ka tentuar gjatë gjykimit t’i paraqesë si kriminale.
“Cilën e ka bërë Izet Sheqiri? Ka blerë narkotikë? Jo. Ka shitur narkotikë? Jo. Ka shpërndarë narkotikë? Jo. Ka blerë mish dhe ka shitur mish”, ka thënë Latifaj.
Mbrojtësi i Sheqirit ka paraqitur edhe pamje që, sipas tij, e përgënjeshtrojnë pretendimin e Prokurorisë, e cila ka thënë se depoisti Kadri Brahimi e ka veçuar fizikisht nga paletat e tjera atë që kishte drogë brenda – e që dallohej në pamje, meqë ishte e shqyer.
Pronari i “MC Foods”, Izet Sheqiri, menaxheri Faton Vrajolli, komercialisti Kadri Sheqiri, depoisti, Kadri Brahimi, dhe shoferi Fehmi Bytyqi akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, lidhur me veprën penale shitje, blerje ose posedim të 400 kilogramëve kokainë që ishin të fshehura në mish të procesuar pule, që njihet si “chicken nuggets”.
Rasti është zbuluar në vitin 2021.
Në bazë të aktakuzës, drejt kompanisë “MC Foods” janë nisur edhe dy dërgesa të tjera me kokainë, por nuk kanë arritur në Lipjan.
Krahas 400-kilogramëshit, në bazë të aktit akuzues, drejt “MC Foods” nga kompania “Seara” e Brazilit ishin nisur edhe një dërgesë prej 109 kilogramësh kokainë, si dhe një tjetër prej 218 kilogramësh kokainë para 400-kilogramëshit, porse ato u konfiskuan nga autoritetet kufitare të porteve në Spanjë.