Në gjykimin kundër tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ka dëshmuar një dëshmitar nga Shkupi i cili ka qenë vizitor me familjen e tij në hotelin “Ranjska Banja”, në natën kur ndodhi sulmi. I tha se dëgjoi të shtëna armësh e pa persona të uniformuar e të armatosur përreth hotelit
Fshati Banjskë i Zveçanit, për Goran Tanevksin nga Maqedonia e Veriut ishte atraksion turistik, dy vjet më parë.
Me familjen e tij, dy net para sulmit terrorist në këtë fshat, Tanevski udhëtoi nga Shkupi dhe u vendos në hotelin “Ranjska Banja”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShtetasi i Maqedonisë së Veriut rastisi të jetë në mesin e mysafirëve të kompleksit… I cili ishte edhe strehë e anëtarëve të grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë, më 24 shtator të 2023-tës.
Për atë që pa e përjetoi, Tanevski dëshmoi përmes videolidhjes, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Pamë dy veta në uniformë pa shenja dhe me armë ushtarake, ai që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën se uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve. Ai po kërkonte një batanije apo të ngjashme. Nën dritaren të cilën ishim vendosur ne, ai person ishte me uniformë, me municione, kishte bombë”, ka thënë Tanevski.
Dëshmitari Tanevski tha se pas gjuajtjeve që kishin dëgjuar rreth orës 3 të mëngjesit, dikush u kishte kërkuar që të qëndronin në dhomat e tyre.
E tha se pas ngjarjes, kishin pasur edhe vështirësi gjatë qëndrimit në hotel.
“Ndërmjet tyre (personave të armatosur) e vetmja që dëgjuam ishte tërhiquni lart. Kishte disa bërtitje mes tyre. Pas asaj që ka ndodhur, herën e parë që kemi ngrënë ka qenë të hënën. Të dielën pasdite erdhi një moment dhe uji u shkyç”, ka deklaruar dëshmitari.
Derisa e kujton ngjarjen e 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dëshmitari Tanevski tha se ende mban me vete traumat e asaj dite.
“Unë prej asaj dite vendosa të mos vij asnjëherë në Kosovë. Ajo që ndodhi nuk mund të harroj. Unë i dërgova familjen atje të pushojnë, u ndjeva përgjegjës për atë që përjetuan dhe atë që përjetova dhe sot e kësaj dite kur më kujtohet çka ndodhi ndiej stres, pasiguri dhe frikë”, ka rrëfyer Tanevski.
Përveç Prokurorisë e avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, pyetje për dëshmitarin patën edhe trupi gjykues.
“Pas asaj që ndodhi, si e kuptuat që jeni të lirë?” ka pyetur Rrahman Beqiri, anëtar i trupit gjykues.
“Me komunikimin që patëm me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, më thanë që të dal jashtë dhe më thanë që është duke na pritur Policia e Kosovës. Ne dolëm, na bastisën dhe pastaj me veturat e tyre zyrtare na dërguan”, është përgjigjur Tanevski.
Në Gjykatën Themelore për këtë rast janë duke u gjykuar Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, tre nga 45 të akuzuarit për sulmin në Banjskë.
Që të tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat para gjykatës dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.