Nenad Rashiq ka korrigjuar veten, duke pretenduar se me rastin e deklaratës së tij se kryeministri Albin Kurti i ka thënë se për hatër të tij vendosi ta zbatojë vendimin gjyqësor për kalimin e 24 hektarëve në emrin e Manastirit të Deçanit, iu kanë ngatërruar ngjarjet. Në sqarimin e së hënës, ai ka thënë se fraza “për hatrin tim” ka të bëjë me lejimin e vizitës së patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe – Porfirije. Ndërkohë, opozita ka vazhduar me kritika në adresë të Kurtit
Ministri Nenad Rashiq është distancuar nga një deklaratë e dhënë para dy ditësh në Radio Gorazhdevci, përmes së cilës është shprehur se kryeministri Albin Kurti i ka thënë se vendosi ta zbatojë vendimin gjyqësor për t’ia dhënë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit hatri i tij.
Të hënën, Rashiq ka thënë se i janë ngatërruar ngjarjet dhe e vërteta sipas tij, është se kryeministri Kurti ka lejuar për hatrin e tij një vizitë të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe – Porfirije.
“Sa i përket kësaj deklarate që e kam bërë unë, fatkeqësisht ka ndodhur që gjatë gati të njëjtën kohë, bash saktë në fillim të 2023-tës, patriarku serb kërkoi një leje për vizitë këtu në Kosovë dhe unë në atë aspekt shkova te kryeministri që të kërkoj një leje të qëndrimit dhe kërkova një vizitë që të shkoj pa pengesa.. Kryeministri aprovoi pas një kohe, pasi që kemi biseduar. Është thjesht një ngatërrim të ngjarjeve, nuk ka pasur ndonjë qëllim të keq. Përkundrazi, është për shkak të kohës që kaloi, normale që ndodh nganjëherë që të ngatërrohet ose të harrohet”, ka thënë Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri Kurti nuk ka pranuar të komentojë deklaratën e Rashiqit, duke thënë se zëdhënësi i Qeverisë i ka adresuar të gjitha.
E zëdhënësi Arlind Manxhuka ka theksuar se Qeveria zbatoi vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
“Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër. Që nga dita e parë në Kurti 2 në mars 2021, nga ambasadorët e Quintit por edhe nga ministri Rashiq është kërkuar zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por kjo ka ndodhur vetëm në kuadër të bisedimeve me raportuesen e Këshillit të Evropës, Bakoyannis, tre vjet më vonë, në mars 2024. Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023, siç mund ta shihni në fotografinë më poshtë”, ka thënë Manxhuka.
Ndërkohë partitë opozitare kanë kritikuar Kurtin për deklaratën e parë të Rashqiit.
Përfaqësues të PDK-së kanë thënë se kjo dëshmon se si kryeministri Kurti mashtron vazhdimisht dhe se i lëshon pe Rashiqit e kurrsesi opozitës.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka akuzuar kryeministrin Kurti se sipas tij, po japë tokë për hatër të ministrit.
“Tash s'po mund të thonë se mediat e keqcituan ministrin e tyre, por fajin po e hedhin pikërisht tek ai me një arsyetim të lodhtë se kinse i ka ngatërruar temat. Mund të ngatërrohet ndonjë datë a orë takimi, por një përgjigje kaq e gjatë është dëshmi e mjaftueshme se Rashiq ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për temën që ka folur. Albin Kurti s'po mundet më të mbulojë atë që përfaqëson. Çdo ditë e më tepër po dëshmohet se s'është gjë tjetër veç një mashtrues që jep toka për hatër të një ministri”, ka thënë Gjoshi.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pretenduar se e vërtetë është deklarata e parë e Rashiqit e jo e dyta - sqarimi.
“Ministri serb i Kurtit tha që për hatër të tij Albin Kurti ia dha 24 hektarë Manastirit të Deçanit. Çka ka shtëpia, tregon fëmija”, ka thënë Haradinaj.
Kosovës iu hap rruga për anëtarësim në Këshillin e Evropës pas vendimit për t’ia kaluar 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit në emër të tij – që ishte edhe zbatim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Për vite me radhë, autoritetet lokale në Deçan refuzuan t’i lejonin Manastirit të regjistronte 24 hektarë tokë dhe pyje në kadastër, duke konsideruar se prona u përkiste ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”.
Atëkohë, vlerësohej se Gjykata Kushtetuese kishte “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, të vitit 1997, kur ai vendosi t'ia dhuronte pronën Manastirit të Deçanit.