Për emërimin e Liburn Aliut si drejtor i Portit të Durrësit është raportuar në mediat në Shqipëri. Këtë lajm e ka konfirmuar edhe ministrja, Mirela Kumbaro, me anë të një postimi në Facebook. Por pas disa minutash postimi është fshirë. Kryeministri Rama deri tash ka pasur në kabinet qeveritar ose u ka dhënë pozita një numri kosovarësh
Mediat në Shqipëri kanë raportuar se Liburn Aliu është emëruar drejtor i Portit të Durrësit.
Fillimisht, raportimet i ka konfirmuar ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro. Ajo e quajti lajm të mirë emërimin e Aliut, por pas disa minutash postimi i saj është fshirë nga profili në Facebook.
“Përherë e kemi thënë se Durrësi është porta e përbashkët drejt Adriatikut si për Shqipërinë dhe Kosovën, prandaj nuk mund të kishte zgjedhje më të mirë për ta mishëruar këtë vizion e ndjesi sesa Liburni, një atdhetar dhe funksionar i sprovuar publik, me të cilin si ish-ministre e Mjedisit kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera bashkëpunimi gjatë kohës kur edhe ai drejtonte sektorët e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si Ministër në Kosovë”, thuhet në postimin e fshirë.
Porti i Durrësit është më i madhi në Shqipëri.
KOHA ka dërguar pyetje në adresën e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për të marrë konfirmim për emërimin e Aliut, por ka munguar përgjigjja.
Nuk është përgjigjur as Aliu, i cili në Qeverinë Kurti ka mbajtur postin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga viti 2021 deri në gusht të këtij viti, kur dha dorëheqje — një ditë pas votimit të Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit. Në një postim në Facebook, Aliu ishte shprehur se pikërisht ky ishte shkaku i dorëheqjes së tij, ani se është raportuar shumë kohë më herët për ftohje të raporteve mes tij dhe kryeministrit Kurti.
Në propozimin për kabinetin e ri qeveritar, që nuk mori votat e Kuvendit, Kurti e ka përfshirë edhe Bashën si ministër pikërisht të dikasterit që e ka udhëhequr Aliu.
Rasti i Aliut nuk është i vetmi kur zyrtarë të lartë nga Kosova kanë kaluar për të shërbyer në Shqipëri.
Vlora Hyseni, ish-zëvendëskryeshefe e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në vitin 2023 u emërua drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë. Ajo ishte shkarkuar në qershor të vitit 2021 nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Kryeministri Rama e pati angazhuar këshilltar edhe ish-shefin e Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.
Për një periudhë, në kabinetin qeveritar të Shqipërisë ka shërbyer edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, që aktualisht është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës. Në garë për Prishtinën ishte edhe Besa Shahini, që shërbeu si ministre e Arsimit në Qeverinë Rama.