Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Buxhetin 2026 nëse buxheti i kryeqytetit nuk përfshihet aty. Rama në një konferencë për media tha se çdo përjashtim arbitrar i Komunës së Prishtinës është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe ligjeve për financa publike.
Elda Islami
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë për mospërfshirjen e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026 në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës.
Rama në një konferencë për media tha se çdo përjashtim arbitrar i Komunës së Prishtinës është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe ligjeve për financa publike.
Sipas tij, dëmet janë të mëdha për qytetarët e kryeqytetit, duke u ndaluar shërbimet publike e projekte të mëdha kapitale.
“Më 6 shkurt 2026, Kuvendi i Kryeqytetit miratoi Buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2026. Po atë ditë, buxheti u dërgua brenda afateve ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Ministrinë e Financave. Ky buxhet i miratuar i Kryeqytetit nuk është përfshirë në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republika e Kosovës, i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare. Pa arsyetim. Pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative. Kjo është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues”, tha Rama.
Ai ka njoftuar se për këtë rast i janë drejtuar edhe Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Kosovës, kryetares Haxhiu si dhe Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar që buxheti i Prishtinës të përfshihet.
Rama ka kërcënuar se do ta dërgojë në Kushtetuese ligjin për buxhetin e vitit 2026 nëse aty nuk përfshihet edhe buxheti për Prishtinën.
“Asnjë institucion nuk ka mandat ta vendosë Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës. Për këtë arsye, menjëherë i jemi drejtuar zyrtarisht: Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar të Komunës së Prishtinës para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026. Nëse Ligji për Buxhetin 2026 miratohet duke injoruar buxhetin e miratuar të Kryeqytetit, atëherë ky ligj do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, si dhe do të kërkohet përgjegjësi nga secili autoritet i nivelit qendror i cili, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet ligjore, synon ta sabotojë kryeqytetin”, tha Rama.
Pas miratimit të Projektbuxhetit 2026 në Qeverinë e Kosovës të enjten, shqyrtimi i parë i projektligjit për buxhetin, ishte paraparë të bëhej të premten në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, kjo pikë është shtyrë dhe pritet të shqyrtohet të hënën.
Në këtë konferencë kryetari i Prishtinës e ka rikonfirmuar mbështetjen për marshin e organizuar më 17 shkurt, në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se do të sigurohet që "Trafiku Urban" të jetë pa pagesë atë ditë.