LAJMET E MBRËMJES

Radojeviq: U mbyll kapitulli i errët i administratës shqiptare

Në komunat e veriut janë inauguruar kandidatët e Listës Serbe që u zgjodhën në pozitat nga të cilat u dorëhoqën tre vjet më parë. Atëkohë braktisën komunat në shenjë proteste ndaj vendimeve të Qeverisë për shtrirjen e kushtetutshmërisë në këtë pjesë, e tani betimin e bënë me simbole shtetërore e konform Kushtetutës. Kryetari i rizgjedhur i Mitrovicës së Veriut, tre vjetët e fundit i cilësoi si kapitull i errët i qeverisjes shqiptare.

Me fotografinë e presidentes së shtetit në ballë e me flamurin e Kosovës anash në sallë, u bë inaugurimi i kryetarit të ri serb të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Pak minuta para orës 11:00 në sallë erdhën asamblistët e rinj të kësaj komune, nga të cilët 10 i takojnë Listës Serbe, një Vetëvendosjes, një PDK-së dhe tre të tjerë tri partive më të vogla serbe.
Mungoi Aleksandër Arsenijeviqi, i cili është në kërkim nga Policia.

Për monitorimin e zhvillimit të seancës në përputhje me ligjet e Kosovës, në sallë prezentë qenë edhe përfaqësues së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

I ulur në fund të sallës qe edhe deputeti i deritanishëm, Slavko Simiq.

Derisa asamblisti më i vjetër që kryesoi seancën, po përmendte rregullat gjatë inaugurimit, një asamblist serb, Marko Jakshiq, vendosi në tavolinë flamurin me ngjyrat e Serbisë, por pa stemën e saj në të.

Kryesuesi formoi një komision i cili i verifikoi mandatet. Në kohën kur po bëhej kjo, Jakshiqi u thirr jashtë nga zyrtarët e MAPL-së. 

E kur hyri brenda e largoi flamurin, por e ngriti një shqetësim.

“Në këtë moment, ndihem i rrezikuar dhe i pasigurt, sepse në këtë sallë, përveç nesh dhe gazetarëve, po qëndrojnë edhe pjesëtarë të policisë...”, tha Jakishiq.

Për këtë i reaguan dy asamblistët shqiptarë.

“Nuk ke nevojë me u frikësu nga tjetër kush, nuk e dimë kush është polic, por ne këtu jemi të barabartë nuk ka nevojë me politizu këtë mbledhje solemne”, tha asamblisti i PDK-së, Emir Azemi. 

Aida Doli e LVV-së tha se Jakshiq s’ka nevojë të ndihet i frikësuar. 

“Unë nuk po shoh e nuk po vërej që ka polic në këtë sallë. Nuk ka nevojë që parafolësi të ndihet i kërcënuar. Jemi këtu për t’u betuar në seancën konstitutive”, tha ajo.

Pas këtyre replikave, asamblistët u bënë gati për betimin, teksti i të cilit qe i shkruar në dy fleta në të dy gjuhët zyrtare, shqip e serbisht.

Aty duhej të viheshin firmat e këshilltarëve komunalë.

Pas betimit, fjalën e mori kryetari i rizgjedhur. 

Tha se prej që e morën shqiptarët udhëheqjen në Mitrovicë, Komuna nuk qe më mjedis urban multietnik.

“Është koha për të mbyllur kapitullin e errët të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ne besojmë se do t’u sjellim prosperitet të gjithë qytetarëve dhe do të sjellim multietikë dhe bashkëjetesë që ka ekzistuar gjithmonë në qytetin tonë”, tha Milan Radojeviq, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut.

Në seancën inauguruese, një asambliste shqiptare qe me foshnjë. 

E, kur seanca përfundoi dhe derisa administrata po i mblidhte tekstet e betimit, asamblisti serb Jakshiqi i vonoi pak, pasi në fletën ku shkruhej betimi në shqip, nuk e vuri nënshkrimin, por shkroi diçka tjetër.

Pas seancës kryetari i Komunës tentoi të futej në zyrë, por e gjeti të mbyllur.

Të organizuar e lanë objektin e Komunës.

Përpos në Mitrovicën e Veriut, betimin e dha edhe kryetari i Zubin-Potokut, Millosh Peroviq.

“Deklaroj së do të kryej detyrat e mia dhe ushtroj kompetencat e mia me nder dhe besnikëri, në mënyrë që të krijoj kushte për jetë në Komunën e Zubin- Potokut të sigurt dhe të qetë”, tha ai.
Jashtë Komunës nuk pati tensione, por prezencë të shtuar të Policisë dhe KFOR-it.