Duke i dhënë koordinatat e sakta të bazës amerikane në Kosovë, Bondsteel, shumë qytetarë serbë po i kërkojnë Iranit ta sulmojë edhe atë. Në postime të ndryshme në rrjete sociale, ata kanë shkruar se edhe kjo bazë në afërsi të Ferizajt është shënjestër legjitime për sulm. Autoritetet në Kosovë nuk kanë ndonjë informacion për këto thirrje
Qytetarë të Serbisë të inkurajuar nga raportet miqësore të regjimit të Beogradit me Teheranin zyrtar, i kanë bërë thirrje Iranit, që krahas sulmeve ndaj bazave amerikane në shtetet e Lindjes së Mesme, të qëllojë edhe bazat e saj në Kosovë. Në faqe të ndryshme të rrjeteve sociale raportohet si shumë serbë po ua dërgojnë shërbimeve të ndryshme të Iranit koordinatat e kampit ushtarak Bondsteel në Kosovë.
"Ja një bazë tjetër amerikane! Faleminderit paraprakisht", thuhet në postimin e një serbi në rrjetin “X”.
E vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit do të ketë, pasoja të gjera në skenën politike botërore. Duke folur për televizionin Informer, një media proqeveritare, Vuçiq tha se beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe me rrëzimin e regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte në dy gjëra – e para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – thelbi i gjithë veprimit të NATO-s, sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, kjo është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar Iranin, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore”, tha Vuçiq.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës thanë se nuk kanë marrë informacione për thirrjet e qytetarëve serb që të qëllohet baza amerikane në Bonstill.
“Jo nuk kemi pranuar ndonjë informacion të tillë”, ka thënë Liridona Gashi, zëdhënëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
KOHA për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe në KFOR, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndonëse nuk ka asnjë qëndrim zyrtar rreth mundësisë së implikimit indirekt të Kosovës në këtë përplasje ushtarake, të shtunën mbrëma është mbledhur Këshilli i Sigurisë i Kosovës, në të cilën është thënë se janë diskutuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria është bërë e ditur se institucionet janë duke e përcjellë me vëmendje zhvillimet dhe se Kosova qëndron e palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Irani edhe para se të niste sulmi i përbashkët i SHBA-së dhe Izraelit, ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet duke goditur të gjitha bazat amerikane në rajon, si dhe territorin e shtetit izraelit.