Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Qeveria rikthen në punë të sanksionuarin nga SHBA-ja

Nexhat Krasniqi është kthyer në punë në Ministri të Infrastrukturës, as dy javë pasi u suspendua për shkak të sanksionimit të tij nga SHBA-ja. Ai u suspendua nga pozita e udhëheqësit të prokurimit, e është kthyer si drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën Ministri. Askush nga Ministria nuk ka pranuar të deklarohet mbi arsyet e kthimit të Krasniqit në punë

Ministria e Infrastrukturës e ka kthyer në punë Nexhat Krasniqin, më pak se dy javë prej kur e ka suspenduar pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta sanksionuar.

Krasniqi, i cili më 3 nëntor u suspendua nga pozita e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, më 15 nëntor u kthye përkohësisht në pozitën e drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, me vendim të sekretarit të përgjithshëm, Izedin Bytyqi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Mbi arsyet e kthimit të tij në punë, KOHA i ka dërguar pyetje Ministrisë së Infrastrukturës, por nuk ka marrë përgjigje. Ndërkaq kontakti me ministrin Liburn Aliu nuk ka qenë i mundur.

Zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, e ka referuar KOHËN që ta kontaktojë sekretarin Bytyqi, duke thënë se kthimi në punë i Krasniqit nuk është çështje e tij e as e ministrit. Por, sekretari nuk ka qenë i qasshëm.

As Ambasada amerikane në Kosovë nuk ka dhënë një koment mbi vendimin e Ministrisë për ta rikthyer në punë të sanksionuarin nga SHBA-ja.

Krasniqi, që në Kosovë njihet si “baba i tenderëve”, është vendosur në listën e sanksioneve të SHBA-së, nën arsyetimin për përfshirje të tij në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Në vendimin për sanksionim, Departamenti i Shtetit ka thënë se Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke marrë ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit, nga kompania “Eltoni”.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”, është shkruar në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për sanksionimin e Krasniqit dhe është bërë e ditur se atij dhe dy fëmijëve të tij u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Për rastin për të cilin është sanksionuar, Themelorja në Prishtinë e ka dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv, ndërsa pas ankimit në Apel dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht, por nuk i është ndaluar ushtrimi i funksionit publik.