Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sipas ministres së Drejtësisë, ky projektligj është një nga nismat kryesore reformuese në kuadër të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës së korrupsionit. Sipas saj, ai është ndryshuar në përputhje me gjetjet e Kushtetueses
Për herë të tretë Qeveria e Kosovës e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Vendimi për projektligjin e rrëzuar më herët nga Gjykata Kushtetuese, pas përmirësimeve është miratuar të hënën nga kabineti qeveritar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri Albin Kurti ka kritikuar po ashtu paraardhësit e tij, për siç ka thënë, kundërshtim me zell të paimagjinueshëm.
“Jemi sfiduar, por nuk jemi ndaluar e as nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë Byronë përkundër atyre që motivet e vërteta i fshehin prapa ankesave në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
E ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka siguruar se ligji është ndryshuar në përputhje me gjetjet e Kushtetueses.
“Qëllimi i ligjit është i dyfishtë, së pari të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publik duke bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe të ruaj standardet kushtetuese, dhe të drejtat themelore duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor dhe mbi bazë prove. Mandati publik nuk është për pasurim personal por është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore”, ka thënë Gërvalla.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur dy herë të antikushtetues Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në vendimin e parë të vitit 2024, Kushtetuesja i ka vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën katër nene të këtij ligji dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre neneve e ka shpallur Ligjin për Byronë Shtetërore të pavlefshëm në tërësinë e tij.
Ndërsa, në janar të këtij viti, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi ka bërë shkelje të rregullave kur e ka kaluar këtë ligj.
Me këtë ligj synohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse do të ketë dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.