LAJMET E MBRËMJES

Qeveria hap tenderin për rrugën që premtoi se do ta realizonte vitin e shkuar

Ministria e Infrastrukturës ka hapur tender për vazhdimin e punimeve për rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë në vlerë 38 milionë euro. Ani se në buxhetin për 2023 janë të parapara vetëm 6 milionë euro për këtë projekt, sipas ministrit Liburn Aliu, është marrë zotimi nga Ministria e Financave për mjetet e tjera për këtë tender. Edhe nëse realizohet sipas dinamikës së paraparë, ky projekt nuk do të përfundojë afro 2 vjet.

U premtua që rruga magjistrale Podujevë-Prishtinë do të përfundonte në vitin 2022, por tek të hënën Ministria e Infrastrukturës ka shpallur tender për vazhdimin e punimeve në të.

Në njoftimin për shpalljen e tenderit thuhet se vlera e parashikuar e kontratës është mbi 38 milionë euro, ani se në buxhet për vitin 2023 për këtë rrugë janë paraparë vetëm 6 milionë euro.

Por ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se kanë marrë deklaratën për mjetet në dispozicion nga Ministria e Financave.

“Tani, pasi që ka përfunduar elaborati i shpronësimit dhe që kemi marrë deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga MFPT, sot është hapur afati për pranimin e tenderëve për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Presim që sa më shpejt të vijojë puna për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, qarkullimin rrugor në përgjithësi, por dhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka theksuar Aliu.

Tenderi është i ndarë në 5 pjesë dhe parashihet që të përfundojë për 425 ditë.

Projekti kishte filluar në vitin 2016 dhe ishte paraparë që të përfundonte brenda tre vjetëve. Por, gjatë realizimit të tij janë shfaqur probleme të shumta me shpronësime dhe në dizajnim të projektit.

Me gjithë këtë, kryeministri Albin Kurti në kohë të fushatës për kryetar të komunave në nëntor 2021, kishte inspektuar punimet në këtë rrugë duke premtuar se ajo do të përfundonte në 2022.

“Në momentin që të kemi kushte atmosferike brenda 30-ditëshi mund të realizohen finalizimet e të gjitha punëve. Ka pasur probleme të shumta të natyrave teknike dhe kontraktuale dhe ka probleme të tjera ende, por të cilat po duhet një për një me i marrë dhe me i zgjidhë. Ka probleme edhe shpronësore dhe te zgjidhjet teknike, tek daljet. Ka pasur tender për të rrënuar urën, por jo për ta ndërtuar”, wshtw shprehur Aliu.

E pas mosshtimit të mjeteve buxhetore për këtë projekt, në një konferencë për media Aliu kishte thënë se është zgjidhur problemi me shpronësim dhe se kanë marrë zotim nga Ministria e Financave se ka mjete të mjaftueshme për realizimin e këtij projekti.

Edhe nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë, ky projekt nuk pritet të përfundojë as këtë vit dhe qytetarët do të përballen me kolona të gjata.