LAJMET E MBRËMJES

Vikendi nuk është pushim as për kryetarin e Leposaviqit e as për protestuesit

Situata në tri komunat në veri të Kosovës gjatë së shtunës ka qenë e qetë, ndonëse në Leposaviq edhe këtë ditë kanë dalë protestues. E brenda objektit të Komunës po vazhdon të qëndrojë kryetari Lulzim Hetemi, në të gjashtën ditë me radhë. Ndërkaq, në Zveçan, KFOR-i vazhdon ta garantojë sigurinë

Protestën kundër vendosjes së kryetarit në objektin e Komunës së Leposaviqit, serbët lokalë e nisën herët edhe të shtunën.

Të ulur në shkallë, në karrige e brenda lokaleve që gjenden para Komunës, e kanë vazhduar atë që e quajnë rezistencë deri në plotësimin e kërkesave që kanë të bëjnë me largimin e kryetarëve të rinj, të policisë e të flamurit të Kosovës dhe rimarrjen e hapësirës komunale.

Qëndrimin e kanë bërë nën katër tenda, të vendosura për t’iu bërë hije e për t’i mbrojtur nga shiu.

Ballë tyre, brenda oborrit të Komunës qëndrojnë të stacionuara trupat italiane të KFOR-it. Nga një metër larg njërit-tjetrit kanë bërë kordonin rreth Komunës, krejt pranë rrethojave që vetë KFOR-i i ngriti për ta penguar qasjen e protestuesve serbë në objekt.

Brenda qëndron në të gjashtën ditë me radhë, pa dalë prej aty, edhe kryetari Lulzim Hetemi. Për të hyrë, përcjelljen ia garantoi Policia e Kosovës, disa prej të cilëve vazhdojnë të qëndrojnë brenda objektit të Komunës. Jashtë u kanë mbetur edhe dy autoblinda, por ata nuk duken në oborr.

Dita e parë e vikendit është e qetë, por në të cilën nuk pushojnë as kryetari e as protestuesit.

Serbët rrinë ulur dhe ka pak lëvizje. Këngët nacionaliste që i kanë përcjellë për pesë ditë më radhë, të shtunën nuk u dëgjuan. Për ta rritur numrin e protestuesve nuk i kursyen as fëmijët. Ushqimin e kanë marrë me vete dhe janë përgatitur për një ditë të gjatë, ashtu si ditëve paraprake.

Pjesëtarë të xhandarmërisë shtetërore italiane herë pas here i afrohen Komunës për të marrë komente rreth situatës e sjelljes së protestuesve si ndaj KFOR-it e edhe ndaj mediave. Lëvizja e tyre deri në objektin e Komunës bëhet lirshëm me veturë.

Rrethojat me dy palë telash gjemborë nuk i kanë lëvizur perimetrit as përreth Komunës së Zveçanit, ndonëse prania e trupave të KFOR-it rreth tyre është zbehur të shtunën.

Kordoni i njësiteve të KFOR-it polak është shpërndarë. Disa në ballkone e disa të tjerë janë futur në një veturë të cilën e kanë pozicionuar në mes të oborrit. Këtë prani më të paktë në numër në oborrin e Komunës e ka shkaktuar moti me shi e mungesa e protestuesve.

Më së shumti pesë persona u panë që qëndronin në hapësirën me ulëse të rezervuara për protestuesit, në anën e majtë të Komunës.

Aty, as të shtunën nuk u duk kryetari, Ilir Peci. Hera e parë dhe e fundit që ai është futur në Komunë është e premtja e javës së kaluar e cila u përcoll me tensione nga protestuesit serbë.

Protesta e tyre nuk vazhdoi ashtu si ditëve të tjera, meqë kryetari Peci një javë më parë ishte deklaruar se të shtunën e të dielën i ka ditë pushimi dhe se nuk del në punë.

Por, grumbullimi i protestuesve në numër më të madh gjatë ditëve më përpara, prapa ka lënë bërllokun. Nën tenda, larg pikave të shiut, ka mbetur edhe tavolina të cilën që nga e hëna e deri të premten fiks në orën 07:00 të mëngjesit dhe në orën 15:00 në mesditë, serbët e pozicionojnë para rrethojave dhe në të vendosin fletë-evidencat në të cilat nënshkruhen ata që punojnë në Komunën Paralele si dëshmi që kanë dalë në punë.

Por, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka thënë se dokumenti në të cilin serbët protestues po vendosin firmat shërben për të evidentuar pjesëmarrjen në protestë, e cila, sipas tij, po u kushtëzohet nga Lista Serbe.

Njësoj për situatë të qetë e me numër krejt të vogël të protestuesve u raportua edhe në Komunën e Zubin-Potokut.