LAJMET E MBRËMJES

Protestë në të dy anët e Urës qendrore të Ibrit në Mitrovicë, dy shqiptarë sulmohen në veri

Serbët kanë demonstruar dhunë edhe në Mitrovicën Veriore. Dy qytetarë shqiptarë u janë nënshtruar sulmeve, gjatë kohës kur në pjesën veriore të urës qendrore të Ibrit dolën turma qytetarësh, për t’iu përgjigjur një proteste të organizuar nga shqiptarët në jug.

Një thirrjeje për të dalë në protesta në jug të Mitrovicës si kundërpërgjigje ndaj protestave të serbëve në komunat veriore, iu përgjigjën pozitivisht një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Me flamuj shqiptar dhe atë të Kosovës e me muzikë patriotike, po i këndojnë Mitrovicës së ndarë.

Shumica e protestuesve janë të rinj në moshë.

Disa po mbajnë edhe maska. E, policë civilë dhe të uniformuar intervenuan për t’ua hequr.

Protesta qe e qetë dhe e shkurtër. Pjesëmarrësit thanë se po e përfundojnë shpejt, në shenjë solidarizimi me policët, për të cilët theksuan se janë të lodhur nga angazhimi në aksionin në veri.

Edhe serbët janë mbledhur matanë Ibrit.

Në kohën kur në Mitrovicë të Jugut po zhvillohej protesta për të cilën Policia e Kosovës kishte kërkuar të mos organizohej, në sheshin e Mitrovicës së Veriut ishin mbledhur një numër i madh i qytetarëve serbë të cilët po vëzhgonin situatën dhe nuk i lejonin gazetarët të marrin filmime.

Qëndrimi i tyre nuk është paqësor.

Dy qytetarë shqiptarë, njëri nga Prishtina e tjetri nga Fushë-Kosova, u sulmuan nga disa persona, mes të cilëve edhe të maskuar. Ata u sulmuan derisa po i binin sheshit teposhtë, në Mitrovicën e Veriut të banuar kryesisht me serbë.

Njëri mori lëndime në kokë dhe tjetrit i qanë buzën dhe ia lënduan krahun.

Policia tentoi t’i kapte sulmuesit, por u anashkaluan në turmë.

E qytetarët e lënduar i dërgoi në Spitalin e Mitrovicës së Jugut.

Policia theksoi se identifikimi i sulmuesve do të bëhet nga kamerat e sigurisë të objekteve pranë të cilave ndodhi sulmi.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, publikoi videon e momentit të sulmit, dhe akuzoi Serbinë për të.

“Dy qytetarë shqiptarë janë sulmuar brutalisht në sheshin e Mitrovicës së Veriut nga milicia fashiste e orkestruar dhe e dirigjuar nga Beogradi. Ky akt dhune dhe huliganesk duhet të dënohet ashpërsisht. Përgjegjësit kriminelë shumë shpejt do të vihen para drejtësisë. Këta milicë nuk do të mund ta minojnë rendin juridik dhe kushtetues të Republikës”, tha Sveçla.

Prania e Policisë brenda e afër sheshit në veri e zbehu edhe pjesëmarrjen e serbëve, të cilët u shpërndanë prej aty.