Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Procedohen për në Kuvend katër marrëveshje ndërkombëtare

Komisioni per buxhet

Foto: Driton Paçarada

Katër projektligje që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare kanë kaluar në Komisionin për Buxhet dhe i janë dërguar për shqyrtim Kuvendit. Ndërkaq kërkesa e deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, për ta diskutuar rritjen e çmimeve nuk u përfshi në rend të ditës

Katër marrëveshje ndërkombëtare janë proceduar të mërkurën për në Kuvend nga Komisioni për Buxhet.

Para fillimit të mbledhjes, Besian Mustafa, deputet i Lidhjes Demokratike, tha se meqë para komisionit do të raportojë ministri i Financave, Hekuran Murati, në rend të ditës duhet të përfshihen edhe diskutimi lidhur me çmimin e naftës, paga e 13-të për punëtorët e RTK-së, si dhe për ata shëndetësorë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Çështja e çmimeve të naftës dhe të energjisë, të cilat kanë një reflektim pastaj edhe te çmimet e të gjitha produkteve të tjera dhe te vështirësimi i standardit të jetës së qytetarëve të Kosovës. Pra thjesht kërkojmë një raportim nga ministri i Financave se çka ka bërë deri tash Qeveria e Kosovës ose çka planifikon të bëjë për të mbrojtur dhe për të përkrahur qytetarët e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
E, kryetari i komisionit, Enver Haliti, tha se këto çështje mund të diskutohen në seancën e jashtëzakonshme të së premtes, të ftuar nga LDK-ja. 

“Unë me sa jam i njoftuar Lidhja Demokratike e Kosovës ka ftuar një seancë për të premten që prekin këto pika që ju po kërkoni që të futen në rend dite në mbledhjen e komisionit, kështu që mendoj që është mjaftueshëm hapësira për ju si deputetë por edhe për të gjitha partitë që përfaqësojnë në Kuvend që të premten, në seancë të Kuvendit të debatojnë dhe të shtrohen pyetje për secilën nga këto tema që i ngritët sot”, ka thënë ai.

Propozimi i Mustafës për ndryshimin e rendit të ditës nuk mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit.

Më pas, në mbledhje u ftua ministri Murati, i cili paraqiti katër projektligje që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare dhe kërkoi miratimin e tyre.

Për njërën prej tyre, ai tha se mundëson themelimin e Bankës Zhvillimore, një premtim i kahershëm i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kryesisht shuma prej 49 milionë eurove shkon në kapitalizimin e Bankës Zhvillimore, pra kapitali fillestar për themelim qoftë në rikapitalizimin e Fondit për Garanci Kreditore apo edhe për Fondin e Sigurimit të Depozitave”, ka thënë Murati.

Projektligjet morën miratimin e nëntë deputetëve anëtarë të komisionit, ndërsa deputetja e Listës Serbe, Verica Çeraniq, abstenoi.

Pas mbledhjes, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, mbajti konferencë për media, ku kritikoi shumicën për, siç tha, mungesë gatishmërie për të diskutuar rritjen e çmimeve.