LAJMET E MBRËMJES

Personave mbi 80-vjeç u mundësohet votimi nga shtëpia, pa dëshmi mjekësore

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar disa lehtësime për votuesit që janë mbi 80-vjeç. Për ta është mundësuar regjistrimi si votues me nevoja të veçanta dhe votimi nga shtëpia pa pasur nevojë që të paraqesin certifikatë paaftësie apo diagnozë mjekësore. Vendimi është përcjellë me paralajmërimin e dhënë nga anëtarët e KQZ-së se rritja e numrit të aplikuesve mund ta cenojë numrin e fletëvotimeve rezervë që përdoren për këtë kategori

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që qytetarët mbi 80 vjeç, të cilët për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit aplikojnë për të votuar nga shtëpia si votues me nevoja të veçanta, nuk do të kenë nevojë të paraqesin certifikatë paaftësie apo diagnozë mjekësore.

Pas ndryshimit të bërë në mbledhjen e së martës të KQZ-së, regjistrimi i këtyre votuesve mund të realizohet vetëm me anë të paraqitjes së dokumentit të vlefshëm të identifikimit dhe të një fotografie, duke e mbajtur në dorë këtë dokument.

Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka shprehur brengë lidhur me këtë proces.

“Ne marrim një numër të përafërt të votuesve që janë regjistruar si votues me nevoja të veçanta dhe mbi këtë bazë e parashohim edhe shtypjen e fletëvotimeve rezervë. Çka është frika e Sekretariatit këtu – është që në rast se kemi numër të madh të votuesve, të cilëve ia largojmë kriterin e bashkëngjitjes së dëshmisë mjekësore mund ta cenojë numrin e fletëvotimeve që i kemi në dispozicion”, ka thënë Buzhala.

E anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka theksuar se për proceset e ardhshme duhet rregulluar infrastruktura ligjore ashtu që personave me nevoja të veçanta t’u mundësohet proces i ngjashëm sikurse në votimin nga jashtë.

“Njëkohësisht t’iu dërgohen fletëvotimet në shtëpi, pavarësisht pse janë duke jetuar në Kosovë, t’iu dërgohet fletëvotimi dhe t’i mundësohet votimi përmes postës në mënyrë që ta lehtësojë edhe punën tonë që të mos krijojmë ekipe mobile. Ndoshta kjo duhet të trajtohet edhe me ligj, të kemi votim të hershëm për këtë kategori”, ka thënë Gashi.

Bazuar në të dhënat e KQZ-së, numri i qytetarëve mbi 80-vjeç që në këto zgjedhje ka të drejtë vote është 48 mijë e 977.

Deri më tash persona me nevoja të veçanta janë konsideruar qytetarë me sëmundje apo me aftësi të kufizuar, për shkak të së cilave nuk mund të dalin nga shtëpia, ata që janë të shtrirë në spitale, të moshuar që jetojnë në shtëpi pleqsh, persona në trajtim nëpër institucione të shëndetit mendor, të burgosurit dhe të paraburgosurit, si ata që janë në arrest shtëpiak.

Afati për aplikim për t’u regjistruar si person me aftësi të kufizuara është i hapur deri më 21 dhjetor dhe ky votim kryhet nëpërmjet ekipeve mobile.

Në mbledhjen e së martës KQZ-ja ka marrë vendim gjithashtu për akreditimin e 283 vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.