Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Përkujtohen 19 të rënët për liri nga fshati Doganaj

Doganaj

Në përkujtim të gjakut të derdhur për liri, në Kaçanik është mbajtur të hënën akademi përkujtimore. Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kaçanik, Selajdin Troni, ka thënë se sakrifica e të rënëve për liri nuk do të harrohet kurrë

Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Doganaj të Kaçanikut, të hënën, është mbajtur akademi përkujtimore, ku janë nderuar të rënët për liri.

Në këtë përvjetor janë përkujtuar 6 dëshmorë dhe 13 martirë, të rënë më 13 prill ‘99.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Agon Elezi, djali i martirit Vesel Elezi, ka kujtuar figurën dhe sakrificën e babait të tij, si dhe të bashkëfshatarëve që humbën jetën atë ditë.

“Sot ndihem i përulur dhe i nderuar të kujtoj vlerat e prindit tim, doktor Vesel Elezit, dhe 18 burrave dhe djemve të këtij fshati që dhanë më të vlefshmen për vendin tonë – jetën”, ka thënë Agon Elezi.

Akademia përkujtimore është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Kaçanik, dhe Këshilli Organizues, me përkrahjen e Komunës së Kaçanikut. 

Veterani i UÇK-së, Fahri Demnika, ka theksuar se e vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk duhet të shtrembërohet e as të harrohet.

“Atë ditë u vranë 14 civilë, që tash u shndërruan në martirë. Ëndrrat e shuara ishin para kohe, po atë ditë ranë heroikisht edhe dy luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke mos kursyer edhe jetën për liri, ndërsa një tjetër edhe u plagos. Sot nuk jemi këtu vetëm për t’i kujtuar, por edhe për të dëshmuar se ajo që ndodhi nuk do të harrohet kurrë. Ne si veteranë e dimë çmimin e lirisë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh me sakrificë dhe me besim të palëkundur, e dimë se çdo hap drejt lirisë është i larë me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve. Këta njerëz nuk janë vetëm kujtim, ata janë edhe amanet për brezat që vijnë”, është shprehur Demnika.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Kaçanik, Selajdin Troni, ka thënë se sakrifica e dëshmorëve e martirëve dhe gjaku i fëmijëve të pafajshëm nuk do të harrohen kurrë.

“Në këtë ditë, shumë bija dhe bijë të këtij vendi u ndanë padrejtësisht nga jeta duke u bërë dëshmorë dhe martirë të lirisë. Ata ranë që ne sot të jetojmë të lirë, ranë që flamuri ynë ta valojë krenar, ranë që fëmijët tanë të jetojnë në paqe dhe dinjitet. Por, sot me dhimbje të veçantë kujtojmë edhe fëmijët e pafajshëm që u vranë në atë ditë të zezë, fëmijët që nuk arritën të rriten, që nuk arritën të ëndërrojnë, që nuk arritën të jetojnë jetën e tyre të sapofilluar. Zëri i tyre u shua padrejtësisht, por kujtimi i tyre do të jetojë përherë”, ka deklaruar Troni.

Në orët e hershme të mëngjesit të 13 prillit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, të mbështetura nga mjete të rënda luftarake, rrethuan nga disa drejtime fshatin Doganaj të Kaçanikut, duke lënë pas viktima civile dhe shkatërrime të mëdha në infrastrukturë.