Takimi i së enjtes i kryeministrit Albin Kurti me liderët e shteteve kryesore të Bashkimit Evropian në Bruksel u bë tema kryesore e seancës të së premtes në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës patën kritika të shumta për përfaqësimin e Kurtit në Bruksel e për pranimin e një draft-statuti të Asociacionit.
Deputetë të PDK-së kanë thënë se kryeministri e ka zëvendësuar njohjen reciproke me dhënien e autonomisë për serbët e Kosovës.
E ata të LDK-së akuzuan Kurtin për jokonsistencë në qëndrimet e tij, prej kundërshtimit, siç kanë thënë ata, të dhunshëm të Asociacionit, në pranim të tij.
Mirëpo, mbështetje për qëndrimin e Kosovës në Bruksel ka dhënë AAK-ja.
Seanca që do të duhej t’i shërbente miratimit të një deklarate që mbështet Rezolutën e Parlamentit Evropian, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe situatën në veri, nuk u mbajt. Shkak u bë mospjesëmarrja në seancë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kritik për bojkotin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai ka thënë se është e papranueshme që Vetëvendosje të mos marrë pjesë në një seancë që qëllim ka interesin shtetëror e jo betejat politike.
“E shoh si një veprim të papërgjegjshëm dhe si një frikë nga LVV mos me u ballafaqu me Kuvendin. Nuk e di pse nuk janë këtu dhe çka po i frikëson kaq shumë që të mos jenë në këtë Kuvend”, është shprehur Tahiri.
Megjithatë, seanca u shfrytëzua shkurt nga grupet parlamentare për të folur mbi takimet e një dite më parë në Bruksel. Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, është shprehur se Kurti është treguar jokonsistent në qëndrimet e tij për Asociacionin dhe jotransparent për përmbajtjen e draftit të tij, për të cilën u deklarua se e pranon. Ai ka kërkuar nga Kurti që t’i raportojë Kuvendit për takimin e së enjtes.
“Çfarë ndodhi nga data 24 deri sot kur Asociacioni i cili ishte i papranueshëm u shndërrua i pranueshëm, ky është problemi që ka Kosova. Kryeministri Kurti duhet të vijë dhe të raportojë në Kuvend, para dhe pas bisedimeve. Kryeministri, i cili ka organizuar protesta të dhunshme në këtë kuvend, e pranon atë për të cilën kanë shkuar njerëz në burg dhe kanë vdekur”, është shprehur Gashi.
E deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, ka thënë se Kurti e ktheu në prioritet dialogun me Serbinë, ani se deklarohej se pas sulmit terrorist në Banjskë prioritet për Qeverinë është siguria e Kosovës. Ajo ka theksuar më tej se ka mungesë të thellë të transparencës lidhur me dokumentin për Asociacionin që e ka pranuar Kosova.
“Kryeministri Kurti i ka bërë dëme të pariparueshme funksionimit të shtetit të Kosovës përmes pranimit të këtij drafti, sepse njohja reciproke nuk është askund, nuk e përmend kryeministri, ai përmend asociacionin, draftin, statutin, vetëmenaxhimin për serbët, por jo njohjen de-juro të Kosovës. Nga njohja reciproke në qendër, kemi pranim të një autonomie të serbëve të Kosovës”, ka thënë Deliu.
Me devijimin e rendit të ditës me këto deklarime, kryeparlamentari e arsyetoi mungesën e deputetëve të pushtetit.
“Me këtë fjalim e legjitimuat mospjesëmarrjen e mazhorancës në këtë mbledhje”, ka deklaruar Konjufca.
Mirëpo, ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka dhënë mbështetje qëndrimit të Kurtit në Bruksel. Kryetari i saj, Ramush Haradinaj, ka thënë se me veprimet e tij, Kurti e ka vendosur Kosovën në pozicionin e duhur.
“Kosova ka bërë një hap të madh përpara, kryeministri Kurti me pranimin e propozimit të pesëshes e ka vendosur Kosovën në pozicionin e duhur pas një kohe të gjatë të humbur. Me zhvillimet e djeshme BE-ja duhet t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës, menjëherë”, është shprehur Haradinaj.
Është hera e katërt që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje bojkoton seancat që thirren nga opozita. Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me arsyet e bojkotit të kësaj seance. Përveç seancës së sotme, për shkak të mospjesëmarrjes së LVV-së, deri tash ka dështuar dy herë seanca për kushtet e Policisë së Kosovës e thirrur nga PDK dhe debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave i thirrur nga AAK-ja.