Kritikë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për prishje të raporteve me Shtetet e Bashkuara i ka adresuar sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku. Duke iu referuar pezullimit për kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik nga SHBA-ja, Çitaku ka thënë se ky vendim e prodhon si pasojë izolimin e Kosovës
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, e ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për qasjen sipas saj, të papërgjegjshme karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një konferencë shtypi të dielën, ajo e akuzoi Kurtin për dëmtim të raporteve me aleatët ndërkombëtarë, tek iu referua vendimit të SHBA-së për ta pezulluar për kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën. Në Ambasadën amerikane në Prishtinë patën thënë se ky vendim është pasojë e veprimeve dhe deklaratave të Kurtit.
E kjo, sipas Çitakut, e prodhon si pasojë izolimin e Kosovës.
“Çka nuk është normale është, kaosi, kriza, izolimi në të cilën e ka futur Kosovën kjo kastë udhëheqësish. Është e paimagjinueshme që 26 vjet pas luftës, Kosova të jetë e ndëshkuar, e penalizuar nga aleatët e saj e tërë kjo për shkak të qasjes të papërgjegjshme e aventureske të Albin Kurtit. Nuk ka ndërhyrë Amerika në Kosovë për të na bërë vend të dështuar e të izoluar. Imagjinojeni Hashim Thaçi nga malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n edhe tani nga burgu i Hagës e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së drejtë të UÇK-së”, ka thënë Çitaku.
Në njoftimin e Ambasadës amerikane, veprimet e qeverisë në detyrë, shkaku i së cilave është marrë vendimi për pezullim të Dialogut Strategjik, kanë rritur tensionet dhe jostabilitetin.
Dialogu Strategjik është një proces, të cilin Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve e zhvillon me vende të ndryshme të botës, në synimin për avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Çitaku është pyetur në konferencë edhe nëse mund të ketë krizë në Kosovë, duke iu referuar memorandumit të nënshkruar mes KFOR-it e BE-së për bashkëpunim për kriza në vend, por për këtë ajo nuk e ka komentuar, teksa e ka quajtur “protokoll të rregullt”.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Enrico Barduani, e shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, kanë nënshkruar më 12 shtator memorandum mirëkuptimi që e rregullon mbështetjen dhe ndihmën e KFOR-it në rast të zhvendosjes apo evakuimit gjatë situatave kritike.