Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që vajzat e saj të mos përfshihen në atë që ajo e ka quajtur luftë politike.
Në një konferencë për media të enjten, një ditë pasi kameramani Jetmir Muji, pasi ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të presidentes në një shkolle private, Osmani tha se ato janë të mbrojtura me protokollin e sigurisë.
“Më sulmoni mua ditë e natë, mos u ndalni, kurrë mos u ndalni, më sulmoni për çka t’ jua merr mendja, por mos bini deri në atë pikë që fëmijët e vegjël që nuk i kanë askujt asnjë faj, askujt nuk i kanë asnjë faj dhe kurrë nuk kanë kërkuar as mbrojtjen e afërt, as nuk e kanë zgjedhur llojin e shkollës, atë vendim e kemi marrë ne si prindër siç e merr çdo prindër tjetër, ju lutem mos i incizoni vajzat e mia pa autorizim, e keni detyrim ligjor e keni detyrim me kod të etikës për mediat e shkruara”.
Osmani në shumë raste ka shfaqur vajzat e saj nga aktivitete të ndryshme e po ashtu edhe në zyrën e saj në Presidencë, ku pret mysafirë çdo ditë.
Sipas Osmanit, kjo është situatë krejt tjetër, pasi bëhet me miratimin e saj.
Presidentja theksoi po ashtu se nuk ka fshehur asgjë rreth shkollimit të vajzave e edhe arsyetoi ndërrimin e shkollës, nga publik në privat.
“Nuk kam asgjë për të fshehur. Nëse ky paska qenë interes publik, pse nuk më keni pyetur mua? Askush s’ka dërguar pyetje. Vajzat e mia shkollohen në Kosovë, për pesë vjet ishin në ‘Ismail Qemali’. Shumë prej jush e dini se keni shkuar e i keni incizuar. Ku njerëzit edhe nga Serbia kanë mundur me i pa. Prania e policisë ka mbrojtur edhe shumë e shumë fëmijë të tjerë. Prani që e kanë me protokolle të sigurisë”, ka thënë ajo.
Kalimin e vajzave në shkollë private ajo e ka arsyetuar vetëm me më shumë siguri.
"Ato kanë qenë sfida tepër specifike për rastin në fjalë të vlerësuara nga organet e sigurisë, përfshirë kërcënime me vdekje. Shumë më lehtë mbrohet një fëmijë vetëm me një hyrje sesa kur ke një shkollë me 5-6 hyrje. Vlerësimi ka qenë i sigurisë dhe ka pasur të bëjë me kërcënime që ne i marrim vazhdimisht. Edhe e përmenda çështjen e largësisë, sepse tani jemi shumë, shumë më larg", ka deklaruar ajo.
Osmani në konferencë u ankua edhe për kërcënime të shumta deri më tash ndaj saj dhe familjarëve dhe se këto raste nuk janë zbardhur nga institucionet, sipas saj.
“Deri sot përkundër dhjetëra kërcënimeve me jetë, për vrasje me plumb në ballë, për ngrehje zhag e dëbim nga Kosova e për dhunim të fëmijëve të mi, është hera e vetme në historinë e institucioneve të Kosovës që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë, zero. Dhe ju duhet të pyesni në favor të kujt shkon që një president i shtetit kushdo qoftë ai ose ajo, të mos ketë trajtimin e barabartë në sistemin tonë të drejtësisë. Ju e dini shumë mirë që çdo politikan tjetër kur kërcënohet, pavarësisht a është nga pushteti apo nga opozita i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës”, ka thënë ajo.
Po ashtu disa gazetarë i quajti “Radoiçiqa”. Nuk përmendi emra por, sipas saj, “dihet se kush janë”.
“Nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar Radoiçiqat. Janë hetuar planet për grusht shtet. Nuk mund t’i themi emrat për shkak të pengimit të hetimeve. Përgjatë rrugës së hetimeve, ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar me ta. Është vlerësim i institucioneve që të mos i tregojnë emrat për shkak të mos pengohen hetimet”, ka thënë Osmani.
Për këtë sulm, i menjëhershëm ishte reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Në reagim thuhet se insinuatat e presidentes Osmani rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur ‘disa gazetarë’ me ‘Radoiçiqët’ dhe me ‘grusht shtet’. AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzuese dhe nxitëse të presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Kameramani Jetmir Muji u arrestua të mërkurën e u lirua disa orë më vonë. Presidentja Osmani ka mohuar se ai është arrestuar nga mbrojtja e afërt e saj.