LAJMET E MBRËMJES

Opozita mban “seancë” pas seancës, LVV-ja e quan shkelje

U përmbyll me dështim edhe përpjekja e 44-t e deputetëve për konstituimin e legjislaturës së re. Kryesuesi i seancës vazhdoi me pikën për formimin e Komisionit për votimin e fshehtë, teksa opozita e mandatit të kaluar insistoi që procesi të kthehet në propozim për kryeparlamentar. E në seancë u mbajt debat si gjatë punimeve, ashtu edhe pas ndërprerjes së tyre

Janë bërë dy javë që kur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i obligoi deputetët ta përmbyllin seancën konstituive për 30 ditë, por ngërçi nuk u kapërcye as të mërkurën, kur dështoi edhe përpjekja e 44-t. 
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, insistoi në formimin e Komisionit për zhvillimin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, teksa opozita e mandatit të kaluar këmbënguli të respektohet rendi i ditës, i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit më 8 prill. 

Përfaqësues të partive opozitare e morën fjalën për pak sekonda, kur iu kërkua t’i bënin propozimet për anëtarë të Komisionit. Por kryesuesi e konsideroi të devijuar diskutimin dhe ua ndërpreu fjalën. 

“E ftoj kryesuesin të kthehet edhe një herë tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Artan Behrami, deputet i PDK-së. 

Me “propozim” doli më pas deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. 

“Ai që është bllokues duhet me propozu për komision për ta zhbllokuar. Është Albin Kurti”, ka deklaruar ajo.

E, deputeti i LDK-së, Paris Guri, ironizoi me deputetët e Vetëvendosjes. 

“A jeni mirë, qetësohuni. Qetësohuni. Mos bërtitni si fëmija, se i keni do vjet. Qetësohu. Dimal, qetë”, është shprehur Guri. 

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga regjia të ndërpresë mikrofonin. 

“Nuk lejohet. Për propozim nëse keni, mund ta përdorni”, ka thënë ai.

E deputeti Guri vazhdoi të flasë në drejtim të deputetëve të LVV-së.

“Fitore, çka po kesh ti, a i ke kthye 200 mijë euro, a i ke kthye, mos kesh se marre”.

Emër për anëtarë Komisioni nuk propozuan as në Listën Serbe.

Pika u hodh në votim dhe mori 55 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Seanca u ndërpre pa kuorum, për të vazhduar të premten prej orës 11:00.

Pas kësaj, deputetët opozitarë sërish nuk dolën nga salla. Me mikrofona të ndalur, ata shprehën pakënaqësi për LVV-në, të cilën e mbajnë përgjegjëse për bllokadën në Kuvend. 

“Nëse sot lejojmë të shkelet Kushtetuta për një karrige, nesër do të shkelet për një qeveri dhe pasnesër për një ligj. Ndërkaq, pa e kuptuar, nuk do të kemi më rregulla, por vetëm pushtet që s’njeh asnjë kufi”, ka deklaruar Përparim Gruda - deputet i PDK-së. 

Ndërsa, Alban Zogaj, deputet i LDK-së, partisë që doli e treta në zgjedhje, partinë fituese e quajti “humbëse”. 

“44 dështime, 44 seanca të shndërruara në farsë politike, 44 herë shkelje të vullnetit të qytetarëve, por edhe shkelje e Kushtetutës së vendit. Ky është bilanci real i partisë fituese të zgjedhjeve, por e cila në thelb është humbëse”.

E këto deklarime pas seancës, i kualifikoi shkelje të Rregullores së Kuvendit, deputetja e LVV-së, Arbreshë Kryeziu-Hyseni.

“Përpos që bëjnë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës, duke mos marrë pjesë fare në votim, tash kanë filluar ta shkelin edhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, duke i vazhduar seancat, pasi që ato po ndërpriten nga kryesuesi i seancës”, ka thënë Hyseni.

Më 15 korrik bëhen 3 muaj prej kur është hapur seanca konstituive që kishte ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit. E më 26 korrik përfundon afati i caktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit.