Partitë opozitare insistojnë se pa një marrëveshje politike paraprake nuk mund të ketë zgjedhje të presidentit të ri. Derisa PDK-ja dhe LDK-ja kërkojnë kompromis politik, AAK-ja kërkon që kryeministri Albin Kurti të ftojë të gjithë liderët opozitarë në një takim të përbashkët. Partitë kanë kohë deri më 28 prill të bëjnë një zgjidhje
Partia e më e madhe opozitare ka përsëritur qëndrimin e saj për një marrëveshje politike paraprake për të zgjidhur presidentin.
Deputetja e Partisë Demokratike, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar kërkesën e partisë që ftesa e Lëvizjes Vetëvendosje për takim të konkretizohet në formë zyrtare dhe më pas të trajtohet në organet e partisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas saj, PDK-ja nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike paraprake.
“Ne kemi thënë tash e sa kohë që nuk mund të propozohen emra pa një marrëveshje politike dhe fakti që s’kemi arritur që të kemi marrëveshje politike që propozimi t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, natyrisht që ne nuk kemi propozuar emra. Pra, zoti Kurti e thashë e ka të gjithë mundësinë, e ka pasur tash e sa kohë që ta zgjedhë presidentin dhe është komplet në vullnetin e tij politik nëse Kosovës do t’i japë një president ose presidente, ose vendi do të rrëshqasë në zgjedhje të reja”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.
Të hënën është zhvilluar takimi i parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mes kryetarit të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.
Edhe ky takim nuk ka prodhuar marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Në LDK të martën kanë thënë se pa marrëveshje politike nuk do të ketë zgjidhje të ngërçit aktual.
“Prilli është muaji që do të determinojë nëse ka vullnet politik në Kosovë, nëse ka marrëveshje për bashkëpunim, pa të cilën nuk del rezultati, sepse pragmatizmi dhe kompromisi janë vlera politike e jo dobësi. Sa më shumë fiton mbështetje, bëhesh më i përgjegjshëm, sepse duhet ndarë me të tjerët. Në të kundërtën, Kosova, për mungesë pragmatizmi, duhet të zgjedhë përmes gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese ose zgjedhjeve 8-milionëshe”, ka deklaruar Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së.
E në AAK, parti kjo që nuk është ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje në takimet për zgjedhjen e presidentit, kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të ftojë të gjithë kryetarët e partive opozitare në një takim të vetëm.
Deputetja Albana Bytyqi është shprehur se AAK-ja do të votojë një kandidat konsensual, ndërkaq për një kandidat partiak ka thënë se duhet marrëveshje politike.
“Unë kam kërkuar që zoti Kurti t’i thërrasë kryetarët e partive opozitare të gjithë në një takim të përbashkët, sepse ne nuk e dimë se çka po flitet brenda në takim dhe kjo është joserioze ndaj Kurtit. Po nëse bëhet një takim i të gjithë liderëve opozitarë me Kurtin kjo do të kishte sjellë efekt, mirëpo ne po e dimë që Kurti nuk po do me e pas një zgjidhje, por po do zgjedhje dhe po mundohet që fajin me ua gju opozitës, mirëpo ne po e shohim të gjithë që Kurti po i do zgjedhjet”, ka thënë Bytyqi.
Partitë politike kanë kohë deri më 28 prill të arrijnë marrëveshje për çështjen e presidentit.
Nëse nuk arrihet që presidenti të zgjidhet brenda kësaj kohe, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, vendi do të shkojë në zgjedhje dhe ato duhet të mbahen brenda 45 ditësh.