Në Gjykatën Supreme të mërkurën është mbajtur seancë gjyqësore lidhur me padinë që Oda e Ekonomike e Kosovës ka bërë ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me vendimin për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike. Përfaqësuesi ligjor i Odës ka thënë se procesi është zhvilluar në kundërshtim me ligjin dhe se vendimi është shkatërrues për ekonominë e vendit
Me ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike është zhvilluar seanca lidhur me padinë që Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji në Gjykatën Supreme për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Përfaqësuesi i Odës, avokati Ekrem Hoxha, ka thënë të mërkurën se bizneset kanë qenë të papërgatitura për këtë ndryshim të madh dhe se vendimi është shkatërrues për ekonominë e vendit.
“E paditura me kokëfortësi dhe refuzim të paarsyetuar administrativo-ligjor përkundër që ka pasur obligim ligjor nga Ligji për energji elektrike, faza tranzitore e cekur në padi ka shkelur ligjin, këtu vjen në shprehje paligjshmëria, meqë e njëjta ka pasur obligim dhe detyrim ligjor të kryejë një analizë të konkurrencës reale në sektorin e energjisë elektrike, këtë nuk e ka bërë dhe nuk e ka bërë me vetëdije të plotë duke shmangur detyrimin ligjor”, ka thënë Hoxha.
Por përfaqësuesi i ZRRE-së, Ymeridin Misini, e ka kundërshtuar padinë, duke e cilësuar si të pabazuar me ligj.
“Të gjitha aktet e kontestuara janë nxjerrë në zbatim të drejtpërdrejtë të kompetencave ligjore të ZRRE-së nga Ligji për rregullatorin e energjisë dhe Ligjin për energjinë elektrike. Për ZRRE-në këto pretendime janë të pabazuara për disa arsye themelore që mbështeten në prova dhe fakte të qarta”, ka thënë Misini.
Misini po ashtu është shprehur se procesi i liberalizimit është detyrim ligjor dhe ndërkombëtar i Kosovës dhe se ZRRE ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj ligjore.
E pas seancës kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar se para trupit gjykues është argumentuar se liberalizimi i tregut nuk ka shkuar si duhet.
“Ne patëm mundësi që me argumentua edhe nga pjesa ligjore se si nuk kanë qenë aktet ligjore në rregull në përputhje me dispozita ligjore, po ashtu edhe procesi i liberalizimit. Njoftimi i ZRRE-së ka shkaktuar efekt material në ndikim negativ të biznesit dhe si ka dëmtuar bizneset”, ka deklaruar Rafuna.
Oda Ekonomike e Kosovës më 19 gusht të këtij viti ka bërë padi ndaj Zyrës së Rregullatorit, duke e kundërshtuar daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë.
Vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor të këtij viti dhe ai përfshin të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro.