Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Nisin hetimet për kërcënim ndaj presidentes, autori i postimit thotë se s’ka kërcënuar

Prokuroria Speciale

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj Halil Gecit, babai i deputetit Fatos Geci, për rrezikim të rendit kushtetues. Shkak është bërë postimi i tij, ku ka shkruar se po të ishte në Turqi, presidentja do të pushkatohej shkaku i tradhtisë. Geci e ka redaktuar postimin, e në një prononcim më pas ka thënë se nuk është pishman për atë që ka shkruar, meqë, sipas tij, nuk ishte kërcënim

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet, pasi Halil Geci, vëllai i ish-deputetit të LDK-së, Gani Geci dhe i ati i deputetit të LVV-së, Fatos Geci, ka shkruar në Facebook se presidentja Vjosa Osmani ka bërë puç, është pjesë e një tavoline tradhtie dhe se do të pushkatohej po të ishte në Turqi.

Prokuroria Speciale po e heton atë për dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës e dënueshme nga 3 deri në 10 vjet – e që është vepër penale kundër rendit Kushtetues.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik, se sot ka iniciuar rast penal në lidhje me kërcënimet ndaj presidentes së Republikës së Kosovës znj.Vjosa Osmani-Sadriu, në drejtim të veprës penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 paragrafi 1 , nënparagrafi 1.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”. Në këtë rast ka autorizuar Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e plotë të këtij rasti, me qëllim të sigurisë së rendit juridik të Republikës së Kosovës, të zyrtarëve dhe qytetarëve të saj”, u tha nga Prokuroria Speciale.

Presidenca ka reaguar pas postimit të Gecit, duke thënë se deklarime të tilla janë thirrje për dhunë dhe vrasje politike.

“Kosova nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë vend ku aktivistë politikë vetëshpallen gjykatës dhe shpallin dënime me jetë për figura të zgjedhura nga qytetarët. Mentaliteti që prodhon gjuha e tillë është pikërisht mentaliteti që për dekada e ka mbajtur peng debatin publik me etiketime, shpifje dhe linçime. Presidentja Osmani nuk është “vegël” e askujt dhe as pjesë e fantazive konspirative për kinse tradhti. Ajo është presidente e Republikës së Kosovës, e zgjedhur në mënyrë legjitime dhe që ushtron mandatin e saj mbi bazën e Kushtetutës. Ata që sot flasin për “tradhti” dhe “pushkatim” dhe shtyjnë përpara shpifjet e konspiracionet, në fakt janë duke bërë thirrje për dhunë e vrasje politike”, u tha nga Zyra e presidentes Osmani. 

Geci e redaktoi postimin e tij, duke e hequr fjalën pushkatim pas reagimeve publike, mirëpo e la pjesën tjetër të tekstit

E në një postim tjetër, Geci tha se ka të drejtë të kritikojë këdo dhe kurdo.

“Prandaj, reagimi i Presidencës ndaj mendimit tim publik më duket i tepruar dhe i padrejtë, pasi në një shtet demokratik debati publik mbi respektimin e Kushtetutës është jo vetëm i lejueshëm, por edhe i domosdoshëm. Kritika ndaj institucioneve nuk duhet të interpretohet si sulm personal, por si pjesë e lirisë së shprehjes dhe e kulturës demokratike”, tha Geci. 

E gjatë ditës së hënë, duke marrë shkas kërcënimin, sipas tij të presidentes, deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga partia Guxo që e themeloi vetë Osmani.

“Sot është Vjosa, nesër mund të jem unë, pasnesër ju, apo vajza e djali juaj që mund të kenë një bindje apo ambicie legjitime të dallueshme nga partia. Qëndrimin tim për procesin e fundit politik, e kam thënë publikisht në mbledhjen GP të VV-së në prani edhe të zotit Kurti, e po ashtu edhe në kryesi të Guxo. Ne disa, me respekt të ndërsjellë, jemi pajtuar që s’po pajtohemi me orientimin që po merrte shumica e grupit tonë politik”, tha Avdyli. 

Lëvizja Vetëvendosje me një pjesë të anëtarëve të partisë Guxo e kanë kundërshtuar dekretin e presidentes për të shpërndarë Kuvendin, duke e çuar atë në Kushtetuese. 

Në lidhje me këtë, Kushtetuesja ka vendosur masë të përkohshme.