Festat e fundvitit mund të prolongojnë për disa ditë procesin e verifikimit e numërimit të votave nga diaspora. E, derisa votat përmes postës e ato në përfaqësi diplomatike të mbërrijnë në Kosovë, në qendrat komunale të numërimit të hënën ka filluar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë
Verifikimi i rezultateve të subjekteve politike e numërimi i atyre të kandidatëve për deputetë ka nisur të hënën.
Në mesditë, në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, kanë nisur përgatitjet për procesin që pason ditën e zgjedhjeve.
Por, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, përfundimi i procesit të verifikimit dhe numërimit varet nga disa faktorë.
“Jo të gjitha kanë numër të madh të kutive të votimit, sepse kjo varion nga lista e votuesve dhe numri i vendvotimeve që kanë qenë të hapura në një komunë të caktuar. Natyrisht që komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt janë në komunat më të mëdha të vendit ku natyrisht procesi i numërimit dhe verifikimit zgjatë më shumë se sa në komunat ku ka pasur vetëm dhjetëra vendvotime”, ka thënë Elezi.
Elezi ka bërë të ditur se për shkak të festave të fundvitit, qendrat komunale të numërimit do të mbyllen në orën 12:00 të datës 31 për t’u hapur sërish pasditen e 1 janarit.
Shkaku i festave mund të ketë edhe vonesa në pranimin e votave nga jashtë.
“Tërheqja nga kutitë postare do të bëhet deri më datën 2 janar dhe në rastet kur shtete e ndryshme mund të ndodhë që të ketë festë dhe nuk punojnë postat e atij vendi atëherë tërheqja do të bëhet në ditën pasuese të punës që i bie deri më datën 5 janar”, ka thënë ai.
Sipas të dhënave të KQZ-së, 16 mijë e 165 qytetarë kanë votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, derisa për të votuar me postë janë regjistruar rreth 58 mijë sosh.
Nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë tashmë janë tërhequr 18 mijë pako me fletëvotime.
E derisa ende nuk dihet numri i qytetarëve që kanë votuar përmes ekipeve mobile, në 38 komunat e vendit janë evidentuar mbi 9 mijë e 900 që kanë votuar me kusht.