Në ditën e pestë të protestave në veri kanë nisur të evidentohen pjesëmarrësit. Serbët që u nënshkruan më mëngjes në Zveçan, thanë se janë punonjës të Komunës. E, kur pasdite ata u larguan, u zëvendësuan nga të tjerë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto nënshkrime po imponohen nga Lista Serbe.
Është ora 7 e mëngjesit dhe këta qytetarë që po nënshkruhen në fletë-evidenca janë punonjës të Komunës paralele në Zveçan, veprimtaria e së cilës zhvillohet ilegalisht.
Po e bëjnë këtë në formë proteste, pasi nuk po lejohen të hyjnë në objektin e Komunës, në të cilën është vendosur policia për t’i siguruar qasje kryetarit të zgjedhur nëpërmjet ligjeve të Kosovës.
Megjithëkëtë, kryetari Ilir Peci nuk ka dalë në punë.
As policia nuk duket, ndërsa dy autoblinda të saj vazhdojnë të qëndrojnë para objektit.
Pas dhunës, në të cilën u plagosën 30 ushtarë të KFOR-it, janë vendosur barriera që i ndajnë protestuesit me ushtarakët polakë që janë të paktë në numër.
Por vëzhgim po bëjnë nga të gjitha anët e komunës e edhe nga ballkonet.
Nuk munguan as helikopterët mbi qiellin e Zveçanit.
Në ditën e pestë të protestës, nuk janë parë tensione e nuk janë ndalur këngët nacionaliste.
Nuk munguan as liderët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq.
Ndryshe nga një ditë më parë që defiluan punëtorët shëndetësorë, sot erdhën t’i shprehin pakënaqësitë punëtorë të Trepçës.
Para mediave, ata u ankuan në Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.
E një mesazh e dha edhe kryetari i Listës Serbe, i cili u shpreh se protestuesit janë të gatshëm ta ndihmojnë KFOR-in, ani se katër ditë më parë ia plagosën 30 ushtarë.
Kur liderët politikë i kryen fjalimet, turma nisi të rritet.
U sollën edhe karrige për të mos i lënë në këmbë.
Një koreografi e bënë edhe disa punëtorë të një kopshti të fëmijëve.
Brenda oborrit të Komunës, në të cilin qëndrojnë vetëm pjesëtarë të KFOR-it e forca speciale, leje për të hyrë iu dha edhe disa punëtorëve të pastrimit.
Tensione nuk ka.
Por, po afrohet politikani serb, Aleksandër Arsinijeviq, me një flamur me mbishkrimin “vetëm po protestojmë pa dhunë”. Defilimin e bëri vetëm disa minuta, pasi serbë në veri të Mitrovicës sulmuan dy shqiptarë.
Protestën e mbyllën disa prej punonjësve në komunën ilegale të Zveçanit, duke dhënë nënshkrimet për përfundim të orarit fiks në orën 15:00.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u shpreh se këto nënshkrime nuk e kanë qëllimin e evidentimit të pjesëmarrjes në punë, por të pjesëmarrjes në protestë, e cila, sipas tij, po u kushtëzohet nga Lista Serbe.
Kur punonjësit shkuan pranë ndërtesës së Komunës arritën të tjerë, për ta vazhduar atë që e konsiderojnë rezistencë kundër kryetarit të ri.