LAJMET E MBRËMJES

Ndalohen pesë zyrtarë të dy agjencive, dyshohen për keqpërdorim të pozitës

Pas bastisjeve disaorëshe në objektet e Agjencisë së Arkivit të Kosovës dhe të Agjencisë Kadastrale, të mërkurën, pesë persona janë shoqëruar në polici me dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar. Bastisjet dhe arrestimet kanë të bëjnë me dyshimet për dallavere me pronën e Radio Televizionit të Prishtinës në “Veternik”

Pesë zyrtarë të Agjencisë së Arkivit të Kosovës dhe të Agjencisë Kadastrale janë shoqëruar të mërkurën në polici, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata janë ndaluar pas bastisjeve disaorëshe që janë bërë në këto dy agjenci.

“Kontrolli është zhvilluar në dy institucione shtetërore: Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Agjencinë e Arkivave të Kosovës, si dhe disa lokacione të tjera me interes për hetimin. Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B. B.SH. M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. 

Bëhet fjalë për një pronë në Veternik të ndërmarrjes shoqërore Radio Televizioni i Prishtinës, e që është në menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që dëmtojnë interesin publik dhe pasurinë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Për rastin e bartjes së paligjshme të kësaj prone, të dyshuar janë edhe avokati Venhar Hana dhe instruktori Dritmir Islami, të cilët gjenden në paraburgim.