Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje, ku kryetari i saj, Dardan Molliqaj, tentoi të dorëzojë një ftesë për debat publik, por hyrja brenda nuk iu lejua. Sipas Molliqajt, subjekti politik që përfaqëson është e vetmja parti opozitare që mund të përballet politikisht me Vetëvendosjen
Ftesën për debat, Dardan Molliqaj ia çoi vetë në seli partisë të cilin e braktisi në 2017-n.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), synoi që ftesën ta dorëzojë personalisht brenda selisë së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por kjo nuk iu lejua.
Sipas tij, zyrtarë të Vetëvendosjes e kishin njoftuar Policinë për të mos lejuar futjen e tij dhe aktivistëve tjerë partiakë në objekt.
Molliqaj, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka frikë vetëm nga PSD-ja.
“Siç e patë sot, skena të tilla keni me pa gjithnjë e më shumë edhe në këtë fushatë, edhe në Kuvendin e Kosovës. Vetëvendosja i tutet veç Partisë Socialdemokrate. Qysh e patë, edhe zyrtarët brenda që pastronin, u drodhën. Thua ti që ka ardhur ndokush, PSD-ja ka ardhur, Dardan Molliqaj ka ardhur me media, me një zarf isha. Paramendoni me qenë PSD-ja në Kuvend. Paramendoni qysh do të duken këta”, ka thënë ai, pasi nuk arriti ta dorëzojë ftesën.
Sipas Molliqajt, LVV-ja është mësuar me opozitarë që s’kanë as kredibilitet moral, guxim politik, vetëdije e as aktivizëm.
Ai tha se beteja e vërtetë politike ideore është mes PSD-së dhe LVV-së.
Edhe
Molliqaj: Vetëvendosja i frikësohet vetëm PSD-së, i ftojmë në debat
“Kjo është sfida. E ftoj Vetëvendosjen, nuk qesim kriter, cilindo kandidat të tyre prej 1 deri 110, me cilindo prej nesh, sa herë të duan, ku të duan, në cilindo debat, në cilindo emision. Nëse s’kanë gatishmëri për debat, nëse na frikësohen e i marrin policinë, nëse dridhen prej zarfeve, le të bëhen gati me u dridhë hala më shumë prej debateve, sfidave dhe aksioneve protestive”, ka thënë ai.
Molliqaj, theksoi se aksione të tilla do të ndërmerren sërish nga PSD-ja për, siç theksoi, mos ta lejuar më një “qeverisje të qetë” të Vetëvendosjes.
PSD-ja përbëhet kryesisht prej ish-aktivistëve të LVV-së, që lanë këtë parti gati dhjetë vjet më parë, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Albin Kurtit për të kandiduar për kryetar. Prej atëherë, ky subjekt politik nuk ka garuar i vetëm në zgjedhje parlamentare. Për herë të parë, PSD-ja garon vet në zgjedhjet e 7 qershorit, dhe në listë ka gjithsej gjashtë kandidatë për deputetë.