Janë deklaruar të pafajshëm për akuzën për korrupsion ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe i pezulluari nga pozita e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Besim Kamberaj. Prokurori Speciale ka pretenduar se me veprimet e tyre, ata kanë mundësuar përfitim të jashtëligjshëm financiar për “Caritasin Zviceran” dhe për organizatën “Germin”
Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, dhe Besim Kamberaj, i cili është i pezulluar nga pozita e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, kanë dalë të martën para gjykatës për t’u deklaruar mbi akuzat për korrupsion.
Prokuroria i akuzon ata për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë procesit të ndarjes së 1 milion e 40 mijë euro për organizatën “Germin”, të themeluar nga zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe për “Caritasin Zviceran”.
Damka dhe Kamberaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u janë vënë në barrë.
Aktakuza e përpiluar nga prokurori Fatos Ajvazi, nuk është lexuar gjatë seancës, meqë për këtë janë pajtuar palët. Në të thuhet se mbi një milion euro të buxhetit të shtetit janë keqpërdorur, kur ato i janë dhënë për projekte bazuar në memorandumin e lidhur nga drejtues të Ministrisë me “Caritasin Zviceran”, organizatë që partner zbatues e ka “Germinin”.
Sipas prokurorisë, me këtë veprim, të pandehurit kanë shkelur Ligjin për Marrëveshjet ndërkombëtare dhe kanë ndarë mjete përtej kufijve buxhetorë.
“Lidhjen e këtij memorandumi për financim të OJQ-ve e bëjnë pa bërë thirrje publike për të përzgjedhur OJQ-në përfituese, duke hyrë në detyrime financiare për buxhetin shtetëror të Republikës së Kosovës në shumën prej 1,040,000.00 (një milion e katër dhjet mijë) eurosh dhe duke nënshkruar marrëveshje në mënyrë të kundërligjshme, që në këtë shumë të përfitojnë dy OJQ-të: ‘Caritasi Zviceran’ dhe ‘Germin’”, thuhet në aktakuzën ndaj Damkës dhe Kamberajt.
Qeveria e ka pezulluar Kamberajn në mbledhjen e 1 gushtit, me arsyetimin se i është ngritur aktakuzë, por vazhdon që ta mbajë në të njëjtën pozitë Damkën, partia e të cilit në zgjedhjet e shkurtit i ka fituar dy ulëse në Kuvend.
Pas ngritjes së aktakuzës, të dyja organizatat, “Caritasi Zviceran” dhe “Germin” kanë reaguar, duke theksuar se kanë pasur dobi pasurore nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. Edhe zëvendësministrja Gashi ka reaguar, duke thënë se nuk ka qenë në organizatë në kohën kur pretendohet se është bërë keqpërdorimi.