LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja e Thaçit: S'kishte ndërmarrje të përbashkët kriminale, dënimi do të ishte padrejtësi historike

Seanca gjyqësore në Hagë

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi e ka paraqitur fjalën përfundimtare në Dhomat e Specializuara. Avokatët e tij thanë se dënimi i Thaçit do të ishte padrejtësi historike, ndërsa konstatimi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale shtrembërim i historisë.

Të akuzuarit nuk kanë qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, meqë një ndërmarrje e tillë nuk ekzistonte, ka argumentuar mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare.

Avokati Luka Mishetiq theksoi se UÇK-ja s’mund të ketë realizuar një ndërmarrje të përbashkët kriminale për një periudhë edhe më të gjatë sesa forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Mishetiq deklaroi se nëse gjykata do të konstatonte se Thaçi u mor vesh dhe zbatoi me të bashkakuzuarit e tjerë një plan të përbashkët kriminal për të kryer krimet, atëherë ajo do të bënte padrejtësi historike.

“Deri më tani, jurisprudenca e tribunaleve ndërkombëtare ka konkluduar se NATO-ja ka ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë më 99-n në përgjigje të një NPK-je serbe e cila filloi jo më vonë se tetori i 98-s. ZPS-ja ju kërkon juve të arrini në përfundimin bazuar në deduksione se UÇK-ja kishte ndërmarrje të përbashkët kriminale muaj apo vite më parë dhe jo më vonë se marsi i 98-s. Më vonë, TPNJ-ja ka arritur në përfundimin se udhëheqësi serb, presidenti Milan Milutinoviq nuk kishte përgjegjësi penale për ngjarjet në Kosovë më ‘98 e ‘99 për shkak se ai ishte një figurë politike që nuk ka pasur kontroll mbi forcat e RFJ-së dhe në këtë mënyrë nuk ka dhënë kontribut të ndjeshëm ndaj NPK-së”, tha Mishetiq..

Theksoi se kjo do të përbënte padrejtësi edhe nga ana ligjore, por edhe shtrembërim të historisë.

“ZPS-ja po ju kërkon që të arrini në përfundimin se pavarësisht se presidenti serb, i një shteti të organizuar nuk ka pasur përgjegjësi masive për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për shkak se nuk ka pasur kontroll efektiv, vetëm duke u bazuar në deduksion ju duhet të konkludoni që udhëheqësi politik i shqiptarëve të Kosovës, i UÇK-së, një grup i armatosur jo shtetëror i cili kishte ekzistuar vetëm për disa muaj ka pasur kontroll efektiv dhe bart përgjegjësi penale. Ky rezultat është shtrembërim i historisë dhe padrejtësi ligjore dhe historike”, shtoi Mishetiq.

E në një pjesë të madhe të paraqitjes së fjalës përfundimtare, Mishetiqi e përmendi ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi.

“ZPS-ja duke pranuar se Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së, në mënyrë të qartë pranon se vendimmarrja kolektive edhe në rastin e politikës ndaj bashkëpunëtorëve nuk e bën automatikisht çdo anëtar të Shtabit të Përgjithshëm si pjesë të NPK-së”, deklaroi Mishetiq.

Ndërsa avokatja Nina Tavakoli foli për periudhën e pasluftës. Tavoli tha se provat e prezantuara nga prokuroria për periudhën e pasluftës nuk dëshmojnë ndërmarrje të përbashkët kriminale e as përpjekje për ta shtrirë pushtetin në të gjithë Kosovën.

“Megjithatë, edhe në qoftë se argumenti i ZPS-së ju bind juve, nuk di se ku do të dalë ZPS-ja me të, sepse këto emërime nuk është se ishin vepra ose aspekte penale. Pavarësisht kësaj, për aq sa kishte përpjekje nga Qeveria e përkohshme për të krijuar njëfarë qeverie përmes hartimit ose miratimit të legjislacionit apo qoftë kjo përmes emërimit të politikanëve lokal ose kombëtarë, gjithsesi kjo është një mundësi e arsyeshme për të krijuar një lloj administrate civile pas kolapsit total të shërbimeve bazike kur u larguan serbët dhe nuk është fare asnjë lloj përpjekje për të pasur kontroll mbi vendin”, tha ajo.

Mbrojtja e Thaçit i tha gjykatës se ZPS-ja pati frikë që teorinë e saj t’ua prezantojë dëshmitarëve, andaj nuk e ballafaqoi asnjë nga dëshmitarët me pretendimin e saj se të akuzuarit patën plan të përbashkët kriminal që përmes krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit ta shtrijnë pushtetin në të gjithë Kosovën.

Avokatët e ish-presidentit të Kosovës, i cili e lexoi deklaratën e pavarësisë, thanë se me asnjë provë ZPS-ja nuk e ka vërtetuar se të akuzuarit dhanë urdhra për kryerje të krimeve.