LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja akuzohet nga PDK-ja për grushtshtet, e nga LDK-ja për vetëgrushtshtet

Ligjvënësit e rinj nuk kanë dhënë shenja për lëvizje nga qëndrimet e moçme, në funksion të tejkalimit të krizës politike. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraku, e ka shtruar nevojën për konsensus. E, Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike, i është kundërpërgjigjur, duke e akuzuar partinë fituese për grushtshtet. Dozën e akuzës e ka rënduar deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykmete Bajrami

Deputetë të subjekteve parlamentare i kanë mbrojtur qëndrimet e deritashme, të cilat e kanë prodhuar krizën aktuale politike në Kosovë.

Në një konferencë të organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung dhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ata e kanë arsyetuar pozicionin që e kanë mbajtur prej më shumë se tre muajsh, gjatë së cilës kohë në 54 tentativa nuk është arritur që të konstituohet Kuvendi, shkaku i ndasive për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nezir Kraki, i cili është deputet i subjektit politik që ka dalë fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka shtruar nevojën për konsensus, teksa ka thënë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet parë si një çështje krejtësisht procedurale.

“Nuk më ka dalë askund që kjo fazë ka pasur nevojë të tejpolitizohet dhe t’i bëhet dëm shtetit dhe pozicionit tonë. Postet janë të parapërcaktuara në zgjedhje dhe legjitimiteti është fituar në terren, prandaj kjo fazë e konfirmimit nuk është dashur të bëhet pengesë për kalimin në fazën e dytë dhe të tretë”, ka theksuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Por oponentë të Vetëvendosjes kanë thënë se fryma e konsensusit është refuzuar nga kjo parti.

Vlora Çitaku, deputete e Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se me veprimet e tyre deputetët e partisë fituese janë duke bërë grushtshtet.

“Çfarë po shohim tani e disa muaj është grushtshtet. Është përpjekje për ta përmbysur në plotësi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, derisa ne po diskutojmë këtu, përkundër vendimit të qartë të Gjykatës Supreme, qeveria që i ka uzurpuar zyrat, ka thirrur mbledhje dhe po merr vendime, po emëron borde, bartës të institucioneve, dhe kemi një përpjekje të qartë për ta përmbysur rendin kushtetues në Kosovë. Ideja e konsensusit është rrënuar pikërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Çfarë kemi parë në Kuvendin e Kosovës është një përpjekje për legjitimimin e diktatit, jo të dialogut si instrument në politikëbërje”, ka theksuar ajo gjatë konferencës të së premtes.

E, deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se i duhet që ta rëndojë dozën e akuzës ndaj LVV-së.

“Nuk mendoj se është vetëm grushtshtet, por është edhe një shkallë më e rëndë, pasi është vetëgrushtshtet. Grushtin po e bën partia që është në detyrë. Partia që është në detyrë nuk po pajtohet me fuqinë dhe pushtetin që ia kanë dhënë votuesit në zgjedhjet e fundit dhe po dëshiron të qëndrojë në detyrë dhe t’i ketë kompetencat e 14 shkurtit 2021. Kjo është plotësisht e papranueshme”, është shprehur Bajrami.

Kritikë LVV-së për refuzimin e ofertave të opozitës së mandatit të shkuar në funksion të zgjidhjes së ngërçit rreth postit të kryeparlamentarit, ka shprehur edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj.

“Aleanca që nga dita e parë i ka propozuar për dalje nga situata dy emra: zonjën Shqipe Selimi dhe Saranda Bogujevci. Duke e parë situatën, e kemi propozuar edhe zotërinë Glauk Konjufca. Edhe partitë e tjera kanë dhënë shumë zgjidhje, por LVV-ja çdo herë ka insistuar në emrin e zonjës Haxhiu. Pse nuk duhet ajo – u dhanë shumë arsye – por interesi i LVV-së nuk ka qenë për ta formuar parlamentin”, ka theksuar ai.

E, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëresha Krasniqi, ka thënë se partia e fituese duhet t’i kthejë sytë kah vetja për të arritur kompromis.

“Kur dikush nuk pajtohet me dikë, rreziku është i papajtueshmërisë me vetveten. Ne gjithmonë duhet të ndalemi para se t’ia drejtojmë gishtin dikujt – në këtë rast partisë së parë fituese – pasi kemi tepër nevojë që t’ia drejtojmë gishtat vetes për përgjegjësinë. Po ashtu, për besimin e madh të qytetarëve që duhet të përkthehet në mundësi institucionale dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë Krasniqi.

Që prej së dielës, Kuvendi ndodhet në pauzë, pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur se pas skadimit të afatit 30-ditor të përcaktuar më herët, deputetët nuk duhet të marrin veprime për konstituimin më së largu deri më 8 gusht, kur pritet që ajo ta marrë një vendim të ri.

E, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka theksuar se partitë nuk duhet të presin mrekulli nga Kushtetuesja.

“Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i obligojë partitë politike të kenë konsensus për ta arritur një kompromis politik për konstituimin e Kuvendit. Gjykata i përcakton procedurat, por zgjidhja në fund duhet të jetë nga partitë politike, të cilat duhet të dalin nga vetja për një marrëveshje politike”, ka thënë ai.

Kosova nuk ka arritur t’i konstituojë institucionet e reja, pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. Shqetësim për krizën politike kanë shprehur diplomatë të huaj të akredituar në Kosovë. 

Ambasadorë të Bashkimit Evropian, të Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe në Prishtinë e kanë kualifikuar këtë situatë si të papranueshme dhe shqetësuese për qytetarët.

Moskonstituimin e Kuvendit as pas 54 përpjekjesh, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e ka quajtur “karton të kuq” për klasën politike, ndërsa ai i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, ka paralajmëruar se Kosova “po hyn në territor të panjohur dhe se shtetasit e saj po e humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare, që ndikojnë në jetën e qytetarëve”.