Protestuesit në Zveçan, edhe të premten u nënshkruan në fletë-evidencën e vendosur para objektit të Komunës. Para të mbledhurve, udhëheqësit e Listës Serbe i dolën në mbrojtje qytetares Liljana Aksentijeviq, të cilën kryeministri Albin Kurti e përmendi në Kuvend si organizatore të protestave të dhunshme
Iu përmend emri në Kuvend nga kryeministri Albin Kurti si organizatore e protestave të dhunshme në Zveçan, por Liljana Aksentijeviqit i dolën në mbrojtje të premten kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe bashkëpartiaku i tij, Igor Simiq.
Teksa foli para protestuesve të mbledhur në këtë komunë, Rakiqi tha se Aksentijeviqi është grua e ndershme që përherë ka qenë e gatshme t’u ndihmojë njerëzve.
Kryeministri Kurti tha në Kuvend se Askentijeviq është zëvendësuese e kryetarit të të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan dhe se i urdhëroi gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në orën 6 e gjysmë të dalin para komunës.
E ajo ishte edhe e para që u nënshkrua në fletë-evidencat e vendosura në një tavolinë para barrikadave të vendosura nga KFOR-i. Pas saj, nënshkrimet i vunë edhe punonjës të tjerë të Komunës paralele të Zveçanit, që e ushtron veprimtarinë në mënyrë të kundërligjshme.
Më pas iu bashkuan turmës së protestuesve, që paraditen e së premtes ishin të shumtë në numër. Disa prej tyre bartnin pankarta me mbishkrime: “Nuk jemi kriminelë, vetëm e duam liri”, “Përse Kurti ma mban fëmijën në shënjestër me snajper” , “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona” dhe “Duam paqe e jo gaz lotsjellës e shok-bomba”.
E në fjalimet para masës, punonjës të administratës, mësues dhe drejtori i Flotacionit të Trepçës shprehën ankesa se prania e forcave policore të Kosovës po ua vështirëson kushtet e punës.
“Për çdo mëngjes, si punëtorë të përgjegjshëm, ne mblidhemi tek objekti i Komunës në vendet tona të punës, që mjerisht janë të okupuar nga ana e njësiteve speciale me tyta të gjata. Neve na është mohuar e drejta themelore njerëzore për punë”, tha Natasha Ankensjeviq, punonjëse e administratës në Zveçan.
Para masës foli edhe një mësuese. “Situata është e tillë që fëmijët tanë nuk kanë të drejtë për liri. Është e pamundur të mbetemi të heshtur karshi asaj që atyre po u ndodh kur janë pa liri e pa të drejta”, tha ajo.
Pas fjalimeve, kohë pas kohe lëshohej muzikë me motive patriotike teksa mes protestuesve qëndruan deri në fund edhe udhëheqës të Listës Serbe.
Brenda barrierave të vendosura përreth objektit të Komunës bënë rojë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët ishin të stacionuar edhe në ndërtesat përreth.
E pak para orës 15, punonjësit e Komunës paralele u evidentuan në fletë-evidenca për përfundimin e orarit të punës. Pas kësaj, në tendën e parë të protestuesve u vendos një televizor për një qëllim.
Për dallim nga ditët e tjera, e premtja në Zveçan ishte dukshëm më e qetë. Madje protestuesit u argëtuan, duke shikuar meçin e teniserit serb, Novak Gjokoviq.
Protestuesit u shpërndan të qetë, e KFOR-i vazhdoi të qëndrojë në vendin që u bë i zakonshëm për ta, tash e gjashtë ditë.