Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Liderë shtetërorë e partiakë: Sakrifica e Jasharëve ndryshoi rrjedhën e historisë

Seanca e Epopesë së UÇK-së

Foto: Driton Paçarada

Liderë shtetërorë dhe ata partiakë e kanë nderuar sakrificën e familjes Jashari, qëndresa e së cilës ata thanë se e ka ndryshuar drejtimin e historisë së Kosovës. Në seancën solemne të mbajtur të enjten në Kuvend në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata kanë theksuar se flijimi i familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, është kujtesë se liria nuk është dhuratë. Aty, mes tjerash, është thënë edhe se familja Jashari qëndron mbi postet politike

Përvjetori i njëzetë e tetë i rezistencës dhe i rënies së familjes Jashari nga Prekazi është përkujtuar dhe nderuar të enjten me seancë solemne në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë rast, liderë shtetërorë dhe ata partiakë e kanë vlerësuar sakrificën e Jasharëve dhe ia kanë dhënë asaj meritat e ndikimit në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidentja Vjosa Osmani, nga foltorja e Kuvendit, ka thënë se shteti i Kosovës ka përgjegjësi që ta mbrojë dhe ta forcojë lirinë për të cilën është flijuar komandanti Adem Jashari bashkë me familje.

“Kemi detyrim kombëtar e moral ta transformojmë kujtesën tonë historike në vizion politik e zhvillimor për Kosovë të fuqishme, ku vendimmarrja strategjike dhe integriteti institucional sigurojnë prosperitetin e brezave pas nesh. Ky është amaneti i Epopesë së UÇK-së”, ka theksuar ajo.

Osmani ka theksuar se Epopeja e UÇK-së, e cila është zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të 1998-s në Prekaz, e ka shndërruar marsin në muaj të sakrificës që e ringjalli një komb të tërë, teksa familjen Jashari, në simbol të qëndresës.

“56 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri – kushtrim që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë botën”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se Epopeja e Marsit nuk është vetëm kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës së Kosovës, pasi që nga Prekazi ka nisur “orteku i lirisë” që nuk është ndalur më.
E kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas Prekazit, UÇK-ja është bërë realitet i pakthyeshëm, ndërsa Epopeja nuk ka mbetur vetëm një ngjarje, por është shndërruar në mesazh të përjetshëm se sakrifica për liri mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

“Toka e Prekazit nuk është e rëndë vetëm për atë që ndodhi aty, ajo është e rëndë, sidomos për atë që kërkohet prej nesh. Kërkon maturi, karakter e bashkim kur është shumë e vështirë. Kërkon që liria të mos përdoret, por të përparojë”, ka deklaruar ajo. “Ata që ranë nuk kërkuan premtime, ata morën një vendim, me atë vendim na lanë përgjegjësinë për ta bërë këtë Republikë të drejtë, për ta mbrojtur dhe për ta përparuar lirinë, për ta forcuar shtetin me ndershmëri, për ta mbajtur dinjitetin mbi frikën”.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se sakrifica e familjes Jashari nderohet duke e forcuar shtetin e Kosovës, me punë të ndershme dhe institucione stabile.

“Krahas të qenit një ditë nderimi, sot është edhe një ditë reflektimi për rrugën që kemi bërë dhe për atë që na pret. Sot ne jemi një shtet i një populli liridashës që gjithmonë është rreshtuar në anën e drejtësisë. Ne e nderojmë sakrificën e Jasharëve teksa e forcojmë Republikën e Kosovës çdo ditë me punë të ndershme e institucione stabile. Kjo është mënyra më e mirë për ta kthyer kujtesën në përgjegjësi dhe historinë në udhërrëfyes”, ka thënë Kurti. “Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes, në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak. Toka u bë altar i lirisë, e një familje u bë simbol kombëtar. Kjo sakrificë u përjetësua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë, se ajo është vlerë që nuk negociohet dhe është e drejtë e patjetërsueshme”. 

Njëri nga pjesëtarët e familjes Jashari, Murati Jashari, është përmendur së fundi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si kandidat konsensual për president.

Në këtë përvjetor të Epopesë së UÇK-së, kur edhe përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se familja Jashari ka peshë më shumë sesa postet politike.

“I dashur baca Rifat, në këtë 28-vjetor, me respektin më të madh për qëndrimin e familjes Jashari dhe për vendosmërinë e tyre për të qëndruar mbi çdo interes politik njerëzor, i themi familjes Jashari se është më e madhe se çdo post politik”, është shprehur ai në seancën solemne të Kuvendit.

E kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, ka theksuar se qëndresa e familjes është përkthyer në rilindjen e kombit.

“Baca Rifat, qëllimi i shuarjes së trungut tuaj familjar, më shumë se një çerekshekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vetë popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa e juaj atëherë, ishte rilindje e jona kombëtare”, ka theksuar ai.

Në seancën solemne të së enjtes, deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila është bashkëshorte e Rexhep Selimit, e ka përmendur edhe gjykimin e udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

“Sa herë vjen kjo datë, krenaria jonë janë Jasharët. Prandaj, kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe Adem Jasharit, qoftë duke e trajtuar në salla gjyqi, përgjigjja jonë e përbashkët është se ne të gjithë jemi UÇK”, ka thënë ajo. 

Seanca solemne në nderim të Epopesë së UÇK-së është mbajtur të enjten edhe nëpër kuvende komunale. 

Kjo datë shënohet në bazë ditore si kujtim për 5 marsin e 1998-tës, kur është shënuar sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt. Luftimet kanë zgjatur për tre ditë - më 5, 6 e 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit janë vrarë 22 anëtarë, bashkë me 33 banorë të lagjes dhe të tjerë. Këtij sulmi i ka shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit, i cili ia pati dalë që të ikte nga rrethina, si dhe Besarta, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari është bërë më 30 dhjetor të 1991-tës, ndërsa të dytin forcat paramilitare serbe e kanë kryer në janar të 1998-s.

Më 22 janar, forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, porse edhe kësaj beteje fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që zgjati afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit, dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i erdhën miq, shokë e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta.

Ata i kanë kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty, porse edhe gratë e edhe fëmijët patën marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. 

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së UÇK-së. Në 28-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e organizon manifestimin mbarëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.