Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi miraton 4 marrëveshje ndërkombëtare dhe plotësohen 2 borde me anëtarë

Glauk Konjufca

Katër marrëveshje ndërkombëtare, plotësimi i bordit të AKP-së me drejtorë të rinj dhe emërimi i tre anëtarëve në Agjencinë e Akreditimit morën mbështetjen e deputetëve në seancën e së hënës. Ndërkaq, dështoi miratimi me procedurë të përshpejtuar i Ligjit për Energjinë Elektrike dhe i atij për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

Miratimi i katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe plotësimi i dy bordeve me anëtarë të rinj ishte bilanci i seancës plenare të së hënës në Kuvend.

Votat e deputetëve për tejkalimin e procedurave nuk i morën Projektligji për Energjinë Elektrike dhe ai për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kundërshtimi ndaj procedurës së përshpejtuar për Projektligjin për Energjinë Elektrike ishte për arsye politike.

“Pra ne nuk mund të mbështesim asnjë shmangie kur e dimë që për pak orë do të përfundoj afati kohor dhe përderisa nuk ka një zgjidhje që është shumë më e rëndësishme, pozicioni politik i yni dihet. Prandaj, vendosja në agjendë përmes shmangies nuk do të kalon, ne do të jemi këtu dhe është vetëm humbje kohe. Pra pozicioni ynë është puro-politik nuk do të miratojmë asnjë shmangie të asnjë ligji për shkak se e dimë qëllimin”, ka thënë Tahiri. 

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se me miratimin e këtij ligji do të mundësohej largimi i kompanive tregtare të energjisë nga tregu.

“Po ja humbni shtetit 9 milionë euro dhe po pamundësoni reforma të cilat, ndër të tjera, mundësojnë integrimin në tregun rajonal dhe të Bashkimit Evropian. Flisni për tregtimin që 1 vit, 2 vite mirëpo nuk lejoni pakon e ligjeve që lejon transfuzimin që na mundëson të integrohemi në tregun rajonal e t’i heqim tregtarët për të cilët po flisni”, ka thënë Rizvanolli.

Për tejkalim të procedurave nevojiten votat pro të dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Në një pikë tjetër të rendit të ditës, Driton Vela, Florim Gallopeni dhe Shkurtë Bajgora janë emëruar anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Ky propozim është kundërshtuar nga deputetët opozitarë, për shkak se Driton Vela në zgjedhjet e vitit 2019 ishte në listën e kandidatëve për deputetë të Vetëvendosjes.

“Po e propozoni një emër partiak ministër dhe unë jam e sigurt që ti e din çfarë dëmi jeni duke ja shkaktuar agjencionit dhe je duke ia bërë një favor partisë tënde. Është tepër keq që shtetit po ja bëni këtë dëm, po e kapni një institucion dhe do na hiqni nga regjistrat evropian të agjencioneve të akreditimit”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Por ministri i Arsimit, Hajrullah Çeku, ka thënë se ligji e ndalon emërimin e anëtarëve vetëm nëse në tri vitet e fundit kanë ushtruar post politik.

“Kandidati i propozuar Driton Vela ka qenë kandidat për deputet në listën e Vetëvendosjes në vitin 2019, para 7 vjetësh dhe kaq, këtu mbaron storja e tij”, është shprehur Çeku.

Ndërkohë, propozimin e Qeverisë për formimin e Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës e ka kundërshtuar deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

“Është thënë shumë shpesh në teori që dega më e brishtë e pushtetit është pushteti gjyqësor për arsye se nuk e ka legjitimitetin popullor. Ne degë të tjera të pushtetit e kemi legjitimitetin popullor dhe mund t’i veshin çfarëdo akuze. Nëse në këtë kuvend ne e akuzojmë kryetarin e Gjykatës Supreme për gjëra të caktuara, gjykatës më të lartë në vend dhe e shkarkojmë atë për mos-kompetencë në provimin e jurisprudencës mendoj që i bëjmë një goditje të madhe besueshmërisë së publikut në gjyqësorin e Kosovës”, ka thënë Gruda.   

Por ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schëarz, ka thënë se për përbërjen e mëparshme të komisionit ka pasur shumë vërejtje.

“Fort mirë e dini bre se nuk më janë ankuar vetëm mua, por kanë ardhur edhe tek ju. Fort mirë e dini që ka arsye dhe ka kërkesa pa masë nga jashtëzakonisht shumë njerëz që zyrtarisht janë ankuar jo vetëm në Ministri të Drejtësisë por edhe në muhabete personale që bëni me ta”, ka deklaruar ajo. 
Po ashtu, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ia ka rikujtuar partisë në pushtet premtimin për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, teksa po diskutohej pika e rendit të ditës për emërimin e drejtorëve në bordin e AKP-së.

Sipas Tahirit, për këtë arsye propozimi është lexuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e jo nga ministrat e LVV-së.

“I vjen marre qeverisë, i vjen marre Albin Kurtit, sepse qe 20 vjet ka gju gurë, e ka kallë këtë vend, kanë shkuar njerëz në burg, kanë shkuar themelues të Vetëvendosjes në burg me qëllimin që duhet të shuhet Agjencia Kosovare e Privatizimit. E sot pas 26 vjetëve e bie në Kuvend emërimin e bordit të ri”, ka thënë Tahiri.   

Arbërie Nagavci, shefe e deputetëve të LVV-së, është shprehur se AKP-ja do të shuhet kur të themelohet Fondi Sovran, për të cilin e ka akuzuar opozitën se e ka sfiduar ligjin në Gjykatën Kushtetuese. 

Edhe kjo pikë e rendit të ditës i ka marrë votat e nevojshme.