Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kuvendi e vlerëson Qosjen si ndër figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar

Seanca për nderim të figurës së Rexhep Qosjes

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka vlerësuar në një seancë solemne rolin dhe kontributin e akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten në moshën 89-vjeçare. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qosja kujtohet si njëri nga njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, vetëdije dhe përgjegjësie historike

Për ta nderuar figurën e akademikut Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten në moshën 89 -vjeçare, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne.  

Seanca nisi me një minutë heshtje. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës se presidentes, Albulena Haxhiu, e vlerësoi si njërin ndër njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, vetëdijeje dhe përgjegjësie historike.

“Rexhep Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë kur shqiptarëve u kërkohej vazhdimisht ta dëshmonin gjuhën, historinë, përkatësinë dhe të drejtën e tyre politike. Kësaj kohe ai u përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike. Ai e ndërtoi mendimin e tij mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare, mbi trashëgiminë iluministe evropiane, mbi humanizmin dhe mbi figurat e shqiptarëve”, ka thënë Haxhiu. 

E zëvendëskryeministri Glauk Konjufca tha se Qosja ishte një nga intelektualët më të rëndësishëm të kombit shqiptar.

“Ai ishte një nga intelektualët, shkrimtarët dhe veprimtarët më të rëndësishëm të kombit tonë. Çdo krijues përshkruhet nga një parim suprem qëllimor, i cili është forca e vërtetë shtytëse e veprimtarisë së tij. Por cili ishte parimi i Qosjes? Elani i tij ishte liria kombëtare”, është shprehur Konjufca. 

Figurën e Qosjes e vlerësuan lart edhe përfaqësues të partive opozitare.

“Ne nuk humbëm vetëm një njeri të dijes, humbëm një institucion të mendimit kritik. Humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte. Pikërisht pse nuk heshti kurrë, ai do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen. Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës sonë, ai ishte gjykues i saj”, ka deklaruar Hamza. 

Vlerësime të larta për Qosjen ka dhënë edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu. 

“Zë i fuqishëm në debatin shqiptar për më shumë se gjysmë shekulli. Ai ishte ndër të parët doktorë të shkencave filologjike në Kosovë dhe një nga kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e studimeve albanologjike në vendin tonë”, ka theksuar Lushaku-Sadriu.

Kurse Besnik Tahiri, deputet i AAK-së, ka thënë se vepra e Qosjes dhe vetë emri i tij janë të pavdekshëm.

“Liria dhe pavarësia e shtetit që e gëzojmë sot i ka rrënjët thellë në sakrificë, punë dhe në veçanti në intelektualë të fuqishëm të kombit tonë, të cilët nuk u dorëzuan dhe punuan në kohët më të vështira të Jugosllavisë dhe të Serbisë. Këtë na vërteton dhe tregon shkrimtari që nuk do të vdesë, akademiku Rexhep Qosja”, ka thënë Tahiri. 

Rexhep Qosja ishte shkrimtar, historian i letërsisë, profesor universiteti e akademik.

Në mars të vitit 2025, Qosja u nderua me çmimin “Letërsia shqipe” nga Ministria e Kulturës, si njëri prej ndikuesve më të mëdhenj të letërsisë shqipe.