LAJMET E MBRËMJES

Kurti opozitës: Vuçiqi po kërkon njerëz si ju në dialog

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të raportonte kryeministri Albin Kurti mbi takimin që ka pasur në Bruksel, ka devijuar në përplasje mbi trashëgiminë politike të liderëve. Kurti në këtë raportim nuk shpalosi detaje se çfarë përmban draft-statuti i Asociacionit, meqë tha se kështu i është kërkuar nga pesë emisarët, por u shpreh se dokumenti me të cilin është pajtuar, nuk është Asociacioni që parashihet në marrëveshjet e vitit 2013 e 2015

Për takimin e një jave më parë me katër liderët evropianë në Bruksel, e atë të dy javë më parë me pesë emisarët euro-amerikanë në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka raportuar të premten para deputetëve në një seancë tetorëshe. E gjithë përmbajtja e debatit u fokusua në draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që emisarët e sollën në Kosovë. Megjithatë, debati herë-herë përshkallëzoi në të kaluarën e trashëgiminë e liderëve.

Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës u shpreh se është pajtuar me përmbajtjen e propozimit të perëndimorëve për Asociacionin, meqë deklaroi sa ka kërkuar që ajo të nënshkruhet. Porse, nënshkrimin e draft-statutit ka thënë se do ta bëjë në kuadër të një pakoje ku përfshihet marrëveshja bazë e Brukselit e aneksi i Ohrit, të cilën, deklaroi, se duhet ta nënshkruajë edhe Serbia. Përmbajtjen e draftit nuk e tregoi, me udhëzim të emisarëve, por shtoi se pranimi i tij është kërkuar si urgjencë nga SHBA-ja dhe BE-ja. Para deputetëve, Kurti është shprehur se nuk e ka pranuar “Zajednicën”, sepse sipas tij, dokumenti me të cilin është pajtuar e bën të qartë që mekanizmi që do themelohet do ketë karakter “koordinues dhe bashkëpunues”. Kjo, sipas tij nënkupton se nuk do t’i paragjykojë e as ndërhyjë në kompetencat e pushtetit publik, të komunave, të organeve qendrore dhe të tjera. Për deklarimet se e ka pranuar këtë draft, ai tha se ka pranuar të nënshkruajë porse, vetëm nënshkrimi është pranim i tij, e ai ende nuk është bërë.

“Në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër, dëmtues, minues, për Republikën, në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial. Kjo qartazi nuk është ‘Zajednicë’, ashtu siç e parashihnin Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte edhe e padiskutueshme”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, partitë opozitare ishin shumë kritike për pranimin e një marrëveshje, mbi kundërshtimin e së cilës, ato thanë se ai është ngritur politikisht.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është shprehur se me takimin në Bruksel ku Kurti është pajtuar për propozimin e Asociacionit e ka përmbysur karrierën e tij politike. Ai ka thënë se pas dhjetë vjetësh kundërshtim Kurti e ka pranuar “Zajednicën” dhe Autonominë politike për serbët, pa asgjë në këmbim.

“Kur ti thua ‘hajde po e nënshkruajmë’, e ke bërë një gabim të jashtëzakonshëm, që një amator nuk është dashur ta bëjë. T’i thuhet botës jam i gatshëm të nënshkruajë me Vuçiqin draftin e Asociacionit për Kosovën, që rregullon Kosovën brenda, është jo banale, është abnormale, që të pranosh që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës”, është shprehur Krasniqi.

Kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit pati edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Edhe ka thënë se është e papranueshme që kryeministri të kërkojë nënshkrimin e presidentit të Serbisë për një dokument që në përmbajtje ka çështjet e brendshme të Kosovës. Sipas tij, Kurti e ka pranuar Asociacionin që parashihet me marrëveshjen e vitit 2013.

“Asociacioni ka kompetenca ekzekutive të marra prej komunave, ka Gjykatë të Arbitrazhit, jo Gjykatë Kushtetuese. Dokumenti do të dalë, e di çfarë po flas. Po ju mashtron. Sot, po shkel mbi trupat e vdekur të njerëzve për këtë kauzë. Duhet mbajtur përgjegjës për gjithë këto 10 vjet. Kanë vdekur njerëzit, na e ka humbur të ardhmen e këtij vendi”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, teksa e ka akuzuar kryeministrin për ndërrimin e qëndrimit të tij karshi Asociacionit, ka thënë se e gjithë qasja e tij me dialogun ka qenë eksperimentale dhe llogaria e përgjegjësia duhet të bjerë tek ai.

“Ky kryeministër e ka shkelur të gjithë filozofinë e vet politike prej ditës së parë e deri sot për të arritur qëllimin e vetë... Po flas për njeriun që shfaqi mosbesim ndaj secilit kamp politik. Po flas për narracionin, të cilin formacioni i tij e paraqiste me integritet profesionalizëm e dinjitet. Po flas për kryeministrin, i cili nuk ka premtim që nuk e ka thyer në këtë proces”, është shprehur Tahiri.

Këtyre kritikave Kurti iu përgjigj duke thënë se opozita po flasin si delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, me nostalgji për “Albinin opozitar”. Ai tha se s’ka ndryshuar as koncept dhe as qëndrime, porse për pozitat që ka ndërruar nuk mund ta mbajë strategjinë identike. Sipas tij, në këtë gjendje e kanë sjellë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Ai me ironi i ka kërkuar opozitës t’i tregojnë se çfarë strategjish përdornin për ta shtyrë presidentin serb të nënshkruante marrëveshje me ta, meqë sipas tij, Vuçiq tash po ikën nga ai.

“Presidenti i Serbisë po dëshiron atë Zajednicën juaj, po thotë se vetëm marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015 dhe asgjë tjetër nuk e pranoj. Vështirësitë më të mëdha gjatë bisedimeve në Bruksel i kemi këto. Ai po iu lyp juve dhe po ju dëshiron juve, nuk po e dëshiron draftstatutin e emisarëve, por po dëshiron marrëveshjen me ju. Po thotë ku janë ata, juve po iu do ai. Ju do fort juve ai, por s’jeni ju më”, ka deklaruar Kurti.

Pas vërejtjeve të opozitës se në seancë do të duhej të diskutohej përmbajtja e draft-statutit e jo procesi i deritanishëm, kryeministri ka sqaruar se pesë emisarët perëndimorë e kanë udhëzuar që të mos e publikojë dokumentin, me arsyetimin se publikimi i tij do të keqpërdorej në dëm të kontributit të qeverive sponsoruese.

“Unë jam në koordinim të vazhdueshëm me evropianët dhe amerikanët dhe tash nëse ju tregoj juve draftin i bie pa koordinim. Vetëm kallëzoni qysh më ju tregu - me koordinim apo pa koordinim”, është shprehur Kurti.

Por, një përgjigje gati të ngjashme me tone ironizuese, e mori nga kreu i PDK-së.

“Për që i nënshtrohesh Lajçakut kështu s’kam besuar. Lajçaku po thotë mos fol, ti po thua OK”, ka thënë Abdixhiku.

Kryeministri në përgjigjet e tij ka ritheksuar se vetëm nënshkrimi do të thotë pranim i draft-statutit dhe marrëveshjeve që rrjedhimisht do të kthehej në të zbatueshëm. Për propozimin e Asociacionit që ka marrë ai ka thënë se i ka dërguar vërejtjet te ndërmjetësit e dialogut.