Përfaqësues të të dyja kampeve politike kërkuan hetim të shpejtë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në institucione nuk ka vend për zyrtarët që e shkelin ligjin, ndërkaq ligjvënës të partive që mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, kërkuan edhe përgjegjësi politike
Dy ditë pas vdekjes së Alban Zejnullahut, derisa ndodhej në pranga, ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se pret hetim të thellë e të shpejtë, në mënyrë që të zbardhet e vërteta.
Për vdekjen e 27-vjeçarit nga Lipjani, të dyshuar janë pesë zyrtarë policorë, që morën pjesë në aksionin për arrestim të tij.
E, në hapje të mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike, edhe falë incizimeve të dëshmitarëve. Por për të kuptuar gjithçka se çfarë ka ndodhur, ai theksoi se duhet hetim profesional nga institucionet. Sipas tij, për këtë, bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë, është thelbësor.
Për pesë zyrtarët policorë që janë në paraburgim, Kurti kërkoi dhe e shprehu pritjen për hetim të thellë e sa më të shpejtë, që e zbardh të vërtetën e plotë dhe i bën të njohura të gjitha rrethanat, ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia.
“Dua ta bëj të qartë se nuk do ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund t’i ketë tejkaluar kompetencat apo ta ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, por autoriteti i mveshur me uniformë është përgjegjësi”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Pamjet e xhirimeve që i tregojnë veprimet e policëve dhe vdekjen e të riut, kanë nxitur valë reagimesh në publik.
Por Kurti kërkoi që institucioni i Policisë të ruhet nga gjykimi publik.
“Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po jepen, janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Në të njëjtën kohë tendenca që të nisë një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje”, ka thënë ai. “Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato më së miri realizohen me rezultatet e plota të hetimeve dhe një verdikti profesional në bazë të tyre. Vetëm atëherë sigurohemi që llogaridhënia institucionale bëhet përgjigje për rastin dhe garanci që situata të ngjashme sikurse ajo e 7 korrikut të mos na përsëriten asnjëherë”.
E, përgjegjësi për vdekjen e 27-vjeçarit kanë kërkuar një numër deputetësh.
Blerta Deliu-Kodra, ligjvënëse e PDK-së, kërkoi edhe përgjegjësi politike.
“Në këtë akt të rëndë, përgjegjësia duhet të bartet nga të gjithë dhe përgjegjësit duhet të marrin dënimin dhe përgjegjësinë e merituar. Por mbetet që institucionet e drejtësisë të thonë fjalën e tyre”, ka thënë ajo.
Në linjë me të ka folur edhe deputetja e PDK-së, Hykmete Bajrami.
“Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast – të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe ta ndriçojnë deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit”, ka thënë ajo.
E, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Policia duhet të sillet në përputhje me ligjet në fuqi.
“Policia e shtetit, edhe ndaj atij që është në kundërshtim me ligjin, duhet të veprojë sipas ligjit. Unë pres përgjegjësi nga kreu lart deri te poshtë. Ndoshta duhet të shikohet se si është gjendja në Policinë e Kosovës”, ka theksuar ai.
Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ka treguar nëse është duke e shqyrtuar dorëheqjen nga posti. Ai ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes për këtë.
Agon Zejnullahu vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pasi u vu nën pranga nga zyrtarët policorë.