Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Komunikimet me partitë do t’i nisim pas certifikimit të rezultateve

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

KQZ-ja ka përmbyllur procesin e numërimit, ndërkaq ankesat për rezultatin, të shtruara veç e veç nga dy kandidatë të PDK-së për deputetë, janë rrëzuar një ditë më parë nga PZAP-ja. Dy kandidatët e kësaj partie Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu kanë paralajmëruar ankesë në Supreme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar negociata me partitë politike për formimin e institucioneve të reja.

Deri tash, ai ka thënë se me subjektet e tjera politike do negociata për presidentin, ndërkaq eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje vazhdimisht kanë theksuar se për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, kjo parti llogarit vetëm te deputetët e komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti ka treguar kohën kur synon t’i nisë negociatat, tek është përgjigjur shkurt në pyetjen se a do të flasë me përfaqësues të partive të tjera për formimin e institucioneve.

“Porsa të certifikohen rezultatet fillojmë komunikimet menjëherë”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e 7 qershorit janë organizuar për shkak që Kuvendi ka dështuar ta zgjedhë presidentin. Por, përfaqësues të dy subjekteve kryesore në opozitë, PDK-së dhe LDK-së, kanë theksuar se negociatat nuk mund ta përfshijnë vetëm postin e presidentit, por edhe Qeverinë.

Bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, nga dita e konstituimit të Kuvendit, nis të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

KQZ-ja ka përmbyllur procesin e numërimit, ndërkaq ankesat për rezultatin, të shtruara veç e veç nga dy kandidatë të PDK-së për deputetë, janë rrëzuar një ditë më parë nga PZAP-ja. 

Njëri nga ta, Bekim Haxhiu, ka thënë se do ta apelojë vendimin në Gjykatën Supreme.

“Ligji nuk thotë as që gabimi duhet të jetë minimal e as maksimal, ligji thotë se çdo votë duhet të jetë e numëruar me saktësi ashtu siç e ka hedhur votuesi. Prandaj, do t’i adresohemi Gjykatës Supreme për të kërkuar rinumërimin e të gjitha votave preferenciale për të gjitha votat për kandidatë të Partisë Demokratike”, ka thënë Haxhiu.

Pas rinumërimit të 7.41 për qind të kutive, Haxhiut i janë shtuar 6 vota. 

Ai është i 23-ti për kah votat në PDK, e kjo parti ka fituar 22 mandate. Sipas Haxhiut, një rinumërim i plotë mund ta ndryshojë përbërjen e Kuvendit për shkak se dallimi i tij me Rrustem Mustafën që ka fituar mandatin, është vetëm 102 vota. 

Kërkesë për numërim të votave për deputetë brenda PDK-së, ka bërë edhe Qëndrim Kryeziu. Edhe ai ka paralajmëruar ankesë në Supreme.

Deponimi i ankesave në Supreme mund të bëhet deri të mërkurën, e më pas gjykata i ka pesë ditë kohë për të vendosur. 

Pas verdiktit të Supremes, nëse vërtetohet vendimi i PZAP-së, i hapet rruga shpalljes së rezultateve përfundimtare, ndërkaq certifikimi bëhet pas konsumimit të kohës së re për ankesa.