Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe fuqizimi i përfshirjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian ishin në fokus të edicionit të tetë të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”. Në hapjen e festivalit, organizatorët vlerësuan se perceptimet shoqërore ndaj komuniteteve kanë ndryshuar dukshëm ndër vite

Në hapjen e edicionit të tetë të Festivalit Multikulturor dhe Ekspozitës Mobile “KRAH”, të martën, organizatorët e kanë vlerësuar si arritje të rëndësishme rritjen e vetëdijes shoqërore dhe ndryshimin e perceptimeve ndaj komuniteteve joshumicë.

Drejtori ekzekutiv i organizatës Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VoRAE), Isak Skenderi, ka thënë se përvoja e 15 vjetëve të fundit ka dëshmuar se ndryshimi është i mundur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas tij, krahasuar me periudhën e para 15 vjetëve, sot ekziston qasje më pozitive ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Gjithnjë e më pak qytetarë hezitojnë që fëmijët e tyre të ndajnë të njëjtën klasë me fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe gjithnjë e më shumë njerëzit janë të lumtur që t’i kenë ata miq, fqinjë ose kolegë të barabartë. Ky ndryshim nuk ka ardhur vetvetiu, ai është rezultat i viteve të tëra dialogu, sensibilizimi dhe komunikimi”, ka thënë Skenderi.

Festivali synon promovimin e identitetit, trashëgimisë kulturore dhe gjuhës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, si dhe nxitjen e bashkëjetesës, dialogut dhe përfshirjes sociale ndërmjet komuniteteve.

Në kuadër të festivalit është hapur edhe Ekspozita Mobile “KRAH”, e konceptuar si muze lëvizës në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku prezantohet identiteti, kujtesa kolektive dhe trashëgimia kulturore e këtyre komuniteteve.

Në ngjarje ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka thënë se diversiteti kulturor është pjesë përbërëse e identitetit të Kosovës.

“Festivali nuk është vetëm festë, është pasqyrë e mënyrës se si Republika e Kosovës e kupton dhe e ndërton vetveten si shtet demokratik, i hapur dhe gjithëpërfshirës. Diversiteti kulturor është pjesë e identitetit tonë dhe një nga pasuritë e mëdha të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Festivali Multikulturor organizohet tradicionalisht çdo vit. Motoja e edicionit të sivjetmë është: "Të festojmë ngjashmëritë tona".