Vizionin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do ta konkretizojë kur të ketë pajtueshmëri për shtyllat e tij. Në Kuvend ai ka thënë se është i gatshëm të diskutojë për të në Bruksel në përputhje me pikën shtatë të marrëveshjes së dakorduar në Ohër. Në këtë seancë ai ka marrë kritika nga opozita edhe për situatën në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se vizionin e tij të përgatitur për draftin e statutit të Asociacionit do ta konkretizojë kur të ketë pajtueshmëri për shtyllat e tekstit të cilin e ka paraqitur.
Në Kuvend, ai ka thënë se në kuadër të dialogut është i gatshëm të diskutojë për zbatimin e nenit shtatë të Marrëveshjes së arritur në Ohër për “vetëmenaxhimin”, sipas vizionit që e ka prezantuar në Bruksel.
“Unë këtë mund të thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendët që unë i kam thënë, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilave mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar një herë në parim”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se vizioni i tij i prezantuar është bazuar në modelin kroat për pakicat kombëtare.
Nga deputetët kryeministri u pyet se si do t’i detyrojë serbët e pjesës veriore që të paguajnë për shërbimet publike, pas vendimit që dy kryetarët e rinj të partisë së tij kanë marrë për faturimin e energjisë elektrike.
“Shërbimi fillimisht do t’u faturohet institucioneve, pastaj bizneseve dhe në fund amvisërive”, u përgjigj kryeministri.
Por ai sërish mori kritikua për çështjen e veriut e vendosjen e kryetarëve në objektet komunale.
“Sovraniteti i Kosovës është reduktuar në një oborr dhe në një kopsht e zyrë të një kryetari që kryeministri e quan herë me k të madhe e herë me k të vogël. Është reduktuar sovraniteti te njësitë tona, të cilat po e mbrojnë një pjesë dhe një zyrë e cila e ka shumë të diskutueshëm legjitimitetin demokratik”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Çështja e veriut sërish përplasi deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës.
Janë bërë dy javë prej kur serbët lokalë i kanë nisur protestat e po i vazhdojnë ato para objekteve komunale për t’i kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë në ushtrimin e detyrës së tyre në objekte komunale.