Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta vendosë opozitën para aktit të kryer, duke propozuar njëanshëm kandidat për president, ka thënë të mërkurën zëvendëskryeministri Glauk Konjufca. Por, ai ka deklaruar se një president nga radhët e familjes Jashari është i vetmi emër që siguron konsensus të gjerë shoqëror. Ndërsa, dhjetë organizata të shoqërisë civile iu kanë kërkuar subjekteve politike që t’i lënë anash kalkulimet politike dhe të arrijnë marrëveshje për presidentin
Zëvendëskryeministri Glauk Konjufca nuk ka pranuar që të tregojë nëse ndonjëri prej anëtarëve të familjes Jashari ka vullnet që të bëhet pjesë e garës për president.
Por ai ka theksuar se një emër nga radhët e familjes së komandantit Adem Jashari do të ishte i vetmit që do të mund të arrijnë konsensus për postin e të parit të shtetit, zgjidhja për të cilin, bazuar në Kushtetutë, duhet të gjendet më së largu deri më 4 mars.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ky është një konsensus i partive politike (çështja e presidentit). Deri tash të vetmit emra që kanë shkaktuar automatikisht një pritje pozitive, një konsensus automatik në shoqërinë tonë, është një president nga radhët e familjes Jashari... Nuk mund të flas për këtë gjë. Duhet të shkoni atje dhe ta merrni përgjigjen, nuk jam unë këtu që të supozoj..”, ka theksuar Konjufca, pas përfundimit të konferencës për shtyp të zhvilluar bashkë me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila të mërkurën ka vizituar Kosovën.
Deri më tani, synimin për ta siguruar edhe një mandat në krye të shtetit e ka shprehur presidentja aktuale, Vjosa Osmani, të cilës mandati i përfundon më 4 prill. Për të qenë zyrtarisht kandidate në garën për presidente, Osmani duhet që t’i ketë nënshkrimet e së paku 30 deputetëve të Kuvendit.
Këtë përkrahje për mandatin e dytë ajo nuk e ka të sigurt as nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti kjo që e ka shumicën në Kuvend.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, para pak ditësh ka qëndruar në Prekaz dhe aty ka thënë se është takuar me Rifat Jasharin, porse nuk ka treguar nëse gjatë takimit është diskutuar për çështjen e presidentit.
E Konjufca, duke folur në cilësinë e LVV-së së cilës i përket, ka thënë se partia e tij nuk ka dashur që ta propozojnë një emër të njëanshëm për president, pasi kjo gjë “do ta mbështeste opozitën për muri” dhe nuk ka dashur që atë ta vërë “para aktit të kryer”.
“E keni të qartë që Kushtetua qëllimisht e ka bërë një dallim të zgjedhjes së Qeverisë dhe presidentit. Ideja bazike e atyre që e kanë hartuar besoj ka qenë që presidenti të mos mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, që më pas të ketë diskutime mes partive. E tash po flas në emër të mazhorancës, që është prej 66 deputetëve. Jemi bindur që nuk ka mundësi që të propozohet një emër i njëanshëm dhe ta marrim mbështetjen e opozitës. Ndoshta e kemi gabim, ndoshta e kemi mirë por ky është konkludimi, konkludimi është që përmes një emri të përveçëm na mos me mbështet për muri opozitën. Domethënë ky është dhe këtë duhet ta votoni”, ka theksuar ai.
E të mërkurën, konsensus për zgjedhjen e presidentit kanë kërkuar 10 organizata të shoqërisë civile.
Nëpërmjet letrës drejtuar partive politike, në organizatat Demokraci Plus, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Lëvizja FOL dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kanë vlerësuar se zgjedhjet, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, nuk do të garantonin funksionimin e institucioneve.
“Një president i/e zgjedhur me konsensus ofron stabilitet, siguron funksionimin normal të pushteteve dhe rrit besimin qytetar në institucionet e shtetit. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve parlamentare që: të angazhohen me seriozitet dhe përgjegjësi në dialog konstruktiv ndërpartiak; të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake, të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje që siguron funksionimin e plotë institucional”, është theksuar në letër.
Për çështjen e presidentit, kryeministri dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka takuar ndaras gjatë kësaj jave kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza dhe atë të Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku.
Diskutimet është paralajmëruar se do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e të shmangen zgjedhjet e parakohshme.
Aktualisht kanë mbetur edhe gjashtë ditë pune nga afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Në mungesë të zgjidhjes, vendi shkon në zgjedhje.
Në ato parlamentaret të 2021-tës, presidentja aktuale Osmani pati garuar në një listë me Kurtin dhe ka qenë njëra prej kandidatëve më të votuar. Ajo është zgjedhur presidente në prill të atij viti dhe në politikën e jashtme ka shënuar disa arritje, nisur nga sigurimi i njohjeve të reja ndërkombëtare e deri te anëtarësimi në Bordin e Paqes për Gazën, iniciativë kjo e nisur nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Kosova ka mbajtur edhe dy palë zgjedhje vitin e shkuar, pasi që rezultatet e atyre të shkurtit të 2025-tës nuk i mundësuan Kurtit - edhe pse partia e tij ka dalë fituese – që ta formojë Qeverinë e re.
Osmani nuk ka bërë ndonjë deklarim publik pas takimeve që Kurti i ka zhvilluar me udhëheqës të partive opozitare, porse në rrjete sociale ka bërë disa përmbledhje të mandatit të deritashëm 5-vjeçar - nga vizitat jashtë vendit deri te takimet me diasporën.