Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Komisioni për Buxhet procedoi në Kuvend 4 marrëveshje ndërkombëtare

Komisioni per buxhet

Foto: Driton Paçarada

Marrëveshjet ndërkombëtare në vlerë të 120 milionë eurove e për të cilat Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e pati akuzuar presidenten Vjosa Osmani se me anë të dekretit të saj e ka pamundësuar ratifikimin e tyre, janë shqyrtuar të premten në Komisionin për Buxhet. 

Kryetari i këtij Komisioni, Enver Haliti, ka thënë se materiali për këto marrëveshje u është përcjellë deputetëve që nga 6 shkurti, kur u pati planifikuar që të mbahej mbledhja e Komisionit. Por, kjo mbledhje dhe as seanca plenare nuk figuronin në kalendarin e Kuvendit. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mbledhjen që është mbajtur tri ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Osmanit, është miratuar marrëveshja ndërkombëtare për parkun solar, e cila ka të bëjë me investimin e KEK-ut. 

“Kjo kredi nga Banka Evropiane për Investime kap vlerën prej 33 milionë eurosh dhe është njëri komponent i financimit në kuadër të projektit, i cili në tërësi parashihet të kapë vlerën prej 104 milionë eurosh”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati. 

Skeptik për realizimin e projektit është shprehur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. 

“Kemi qenë në disa pikëpyetje se sa do të jetë i realizueshëm në kuptimin që është afër Obiliqit dhe tymi ka pengesa. E di që edhe ju si ministri keni këto shqetësime. Unë dua të ripotencojë që realisht do të ketë vështirësi në këtë aspekt, uroj që të realizohet sa më mirë, sepse Kosova ka nevojë për energji solare apo për energji alternative”, ka thënë ai. 

Komisioni ka përcjellë për në seancë edhe tri marrëveshje ndërkombëtare, si ajo për projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, kredi shtesë, ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Kosovës, Marrëveshjen për kredi në mes të Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujeve", si dhe Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe BERZH-it për projektin e Efiçencës së Energjisë në ndërtesa publike. 

Po ashtu, është miratuar edhe buxheti i Komunës së Zubin-Potokut, i cili shkaku i vonesave ka mbetur jashtë buxhetit shtetëror.